Tifozët e Atletik Bilbaos vështirë se do ta harrojnë ndonjëherë golin e Aritz Aduriz në ndeshjen kundër Barcelonës. Sulmuesi 38-vjeçar hyri në fushën e lojës në minutën e 88 dhe me prekjen e parë të topit, një roveshatë spektakolare, dërgoi sferën në rrjetë për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij.

Një gol shumë i rëndësishëm për faktin se ky është sezoni i fundit i sulmuesit në futbollin e luajtur, duke u përpjekur që të lërë shenjë sa më mirë që të mundet.

“Ata janë më të mirët dhe për të qëndruar në garë me Barcelonën gjatë gjithë ndeshjes është shumë e vështirë. U munduam të fitonim duelet në çdo cep të fushës dhe në fund ia dolëm. Jemi të lumtur se u dhamë një kënaqësi tifozëve tanë.

Tërheqja? Në jetë gjithçka ka një fillim dhe një fund. Jam i lumtur që vendos unë fundin ku të dëshiroj më shumë. Golin ia kushtoj familjarëve që më kanë mbështetur gjithmonë. Futbolli është i bukur pikërisht prej gjërave të tilla”, tha Aduriz. /vipsport/