Sa shumë paqartësi sa i takon të ardhmes së Cristiano Ronaldos. Ylli portugez dëshiron largimin nga Manchester United, pasi kërkon të luajë në Champions League, me djajtë që kanë “dështuar” që të sigurojnë një vend në këtë komepticion.

Shumë skuadra kanë dalë në skenë si një mundësi reale për t’u transferuar CR7, por në vorbullën e gjithë kësaj janë dhe deklaratat nga United dhe pjesëtarë të tjerë të skuadrës që vazhdojnë e theksojnë se 5 herë fituesi i “Topit të Artë” nuk do të largohet nga “Old Trafford”.

Në lidhje me situatën e krijuar të sulmuesit ka folur edhe Bruno Fernandez, i cili ka theksuar se nuk di asgjë se cila do të jetë e ardhmja e shokut të tij, por thekson se cilido të jetë vendimi i tij duhet të respektohet nga të gjithë.

“Unë nuk e di çfarë ka biseduar Ronaldo me klubin dhe menaxherin, madje nuk e kam idenë edhe se çfarë është duke menduar për të ardhmen. Nuk e kam pyetur nëse kërkon të largohet apo jo. Në sezonin e kaluar ai ishte golashënuesi i skuadrës, i takon edhe klubit të marrë një vendim. Unë nuk kam asgjë në dorë.

Nga ajo çfarë dimë të gjithë është se ai ka pasur probleme familjare dhe duhet ta respektojmë e t’i japim hapësirë. E vetmja gjë për të cilën e kam pyetur është nëse ishte gjithçka në rregull me familjen, por nuk dua të përfshihem dhe respektoj zgjedhjen e gjithkujt”, u shpreh Fernandes.