Atletik Klub është një nga akademitë e futbollit që po vepron prej disa vitesh në qytetin e Shkodrës. Në këto sezone aktivitet, ata kanë marrë suksese të shumta e ndërsa po përgatiten edhe për edicionin e ri 2022-23.

Për “Shkodra Sport” në një intervistë ka folur Eder Zmijani. Trajneri i u-14 tek kjo akademi tregon për objektivat, punën që po bëhet tek skuadra dhe eksperiencën e tij si trajner.

-Është gati akademia Atletik Club për një tjetër sezon të suksesshëm ?


Them se jemi gati pas një sezoni të shkuar shumë të suksesshëm. Ku ekipet e moshave u9, u11, u13 dhe u15 dolën me trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fund. Shpresojmë që edhe këtë sezon të ripërsërisim sukseset e shkuara, pse jo edhe ti përmirësojmë akoma më tepër.

-Tashmë formati i kampionatit ka ndryshuar disi. Sa mund të ndikojë kjo tek ju ?


Është e vërtetë se diçka ka ndryshuar ku ne me ekipet u-14 dhe u-15 do jemi pjesë e ligës profesionist, në Kategorinë e Parë. Pasi strategjia e akademisë sonë ka ndryshuar, ku nga liga amatore, tashmë do jemi në atë profesioniste. Tani do udhëtojmë nëpër rrethe për tu ndeshur me ekipe të ndryshme dhe besoj se është shumë pozitive. Pasi edhe fëmijët janë shumë të motivuar për sfida të reja.

-Zmijani vetë si ndihet që është pjesë e kësaj akademie prej disa vitesh tashmë ?


Po bëhen thuajse 3 vite që jam pjesë e kësaj akademie. Ndihem shumë i lumtur sepse më duket sikur kam një jetë këtu. Stafi i akademisë funksionon si një familje e madhe dhe prandaj kemi edhe suksese.

-Cili do jetë objektivi i juaj si trajner i skuadrës u-14 në këtë edicion ?


Objektivi për këtë sezon është që të bëjmë paraqitje sa më dinjitoze. Kjo pasi është hera e parë që ne marrim pjesë në një kampionat të tillë, ku formula ka ndryshuar së fundmi. Është një eksperiencë e re për ne dhe ti marrim ndeshjet 1 nga 1, për të marrë maksimumin. Është një sfidë edhe për vetë futbollistët që janë në një moshë shumë të re.

-Do kemi talente të tjera në të ardhmen nga Atletik, siç i kemi pasur në këto sezone ?


Po ka lojtarë që premtojnë tek akademia jonë, ku duhet të theksoj se tek Vllaznia u-17 dhe u-19 janë 3 futbollistë të dalë nga akademia jonë që luajnë titullarë me këto grupmosha. Ka siç e thashë fëmijë që premtojnë duke qenë se kanë dalë për vite me rradhë kampion. Por patjetër duhet ende shumë punë për të arritur tek sukseset e së ardhmes.

Endri ÇINARI