Murlani një skuadër e re në futbollin tonë që i përket rrethinave të Shkodrës po bën emër pak e nga pak. Ky ekip këtë sezon është pjesë e Kategorisë së Dytë, ku në javën e parë ka fituar dhe premton për suksese të tjera në të ardhmen. Për “Shkodra Sport” ka folur kapiteni, Vildan Kaçubela ku shprehet për kampionatin, skuadrën dhe objektivat sezonal.


– Murlani, një ekip i ri dhe ti kapiten i kësaj skuadre. Përgjegjësi më e madhe për ty?

Të jesh kapiten i kësaj skuadre patjetër është përgjegjësi, por edhe krenari. Unë në këtë ekip pothuajse u rrita dhe po krijoj profilin tim si një futbollist. Prandaj i dedikohem çdo ditë me zemër dhe i motivuar deri në fund.


– Po kalon një formë të mirë personale. Sa gola premton për Murlanin këtë sezon?

Qëllimi im është që të bëj sa më shumë gola. Është e vetmja gjë që ti të bëj më mirë në jetë. Pra, të luaj futboll, që është pasioni im më i madh. Ndaj po them se objektivi im është të realizoj 25 gola këtë sezon.

– Mundet që kjo skuadër të ngjisë kategori sërish këtë sezon?

Për mua personalisht çdo gjë është e arritshme, së bashku me grupin dhe trajnerët. Duhet të gjithë të punojmë së bashku për suksesin e Murlanit.

– Sa e vështirë do jetë për të arritur objektivat?

Asgjë nuk është e lehtë sidomos për një skuadër futbolli. Por siç e përmenda më sipër së bashku me grupin kemi si objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe jam mjaft pozitiv dhe i sigurtë që do e arrijmë.


– Trajneri Altin Xhahysa sa ndihmesë është për ju? Duke qenë se ai është një ish-kampion me Vllazninë në të shkuarën.

Për të folur për profesor Xhahysen kam realisht një emocion të madh. Një emër të cilin e falenderoj me mirënjohje për mbështetjen e tij të pakursyer sepse pa ndihmën e tij nuk do isha këtu sot. Por, profesori është ndër ata që më ka vlerësuar dhe ka besuar në aftësitë e futbollit tek unë. Patjetër këtë sukses ia dedikoj atij, që më ka ndihmuar jo vetëm mua, por gjithë grupin.


– Po tifozave të Murlanit, çfarë ju premton?

Së pari tifozëve të Murlanit i premtoj që do japim maksimumin çdo herë. Do jemi këtu për ata dhe nuk do i zhgënjejmë. Do punojmë fort që të marrim sa më shumë fitore dhe t’iu falim emocione të shumta.
I falenderoj shumë për mbështetjen e treguar ndaj nesh ku janë të parët. Dhe kjo na motivon shumë.