Nga Endri ÇINARI
Mbrojtësi shkodran, Elsaid Xhilaj kaloi në orët e fundit të merkatos në kampionatin kosovar. 21-vjeçari iu bashkua skuadrës së Rilindjes. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai shprehet i emocionuar për aventurën e re. Atë ai e shikon si një mundësi për të treguar vlerat e tij.
-Xhilaj, një transferim në Kosovë në fundin e merkatos. Një lëvizje e duhur për ty?
Po, mendoj se është lëvizja e duhur për mua në këto momente. Ku i bashkohem një lige që mendoj se është konkurruese dhe që do më shërbejë shumë.
-Pse zgjodhe pikërisht skuadrën e Rilindjes?
Ishte një skuadër që shprehu interes për shërbimet e mia. Për të cilën i jam mirënjohës, por edhe për faktin se besoj se do kem shansin të tregoj vlerat që kam. Prandaj them se është ekipi i duhur për mua tani.
-Mund të jetë kjo skuadër një trampolinë për ty?
Besoj se po, sepse ekipi merr pjesë në një ligë ku mund të shfaqesh dhe dalësh në skenë. Pastaj duhet ti marrim hapat një e nga një.
-Një objektiv personal që mund të kesh në këtë gjysmë sezoni?
Objektivi është të bëj sa më mirë me ekipin. Skuadra ka ambiciet e saj dhe unë do përpiqem që ta ndihmoj në maksimum.