Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka fituar të dy disiplinat e kërcimeve, atë së gjati dhe trehapësh, të zhvilluara pasditen e sotme në kuadrin e kupës “Hysni Bebeziqi” të organizuar nga klubi shumësportësh Vllaznia në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës. Më e bukur ka qenë gara e kërcimit së gjati teksa ka patur rivalitet me shkodranin që konkurron me Tiranën- Admir Bregun. Smajlaj ka arritur të kërcejë 7.54 duke zënë vendin e parë ndërsa Bregu ka kërcyer 7.24 duke zënë vendin e dytë. I treti është renditur atleti tjetër i Vllaznisë Klint Tula me 6.64 m. Në kërcimin e tij të tretë Izmir Smajlaj kërceu 7.87 m, çka do ishte rekord i ri kombëtar por në fakt gjyqtari akordoi faull për prekje të vijës së kuqe prej këtij atleti.


Smajlaj ka zënë vendin e parë edhe në garën e kërcimit trehapësh me 14.90 m ndërsa i dyti është renditur atleti tjetër i Vllaznisë Durjon Idrizaj me 14.04 m. Në garën e trehapëshit për femra, atletja e Vllaznisë Elemdina Uruçi ka zënë vendin e dytë me 9.54 m. Në këtë mënyrë janë mbyllur me mjaft sukses këto gara të zhvilluar në kuadrin e “Ditës së kërcimeve” ose e titulluar ndryshe kupa “Hysni Bebeziqi” në nderim të këtij kampioni të madh të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare. Po gjatë aktivitetit të sotëm, janë nderuar me një çertifikatë mirënjohje edhe katër ish- atletë kampionë të Vllaznisë vite më parë dhe pikërisht Arbana Xhani, Niko Laro, Arben Parmeza dhe Bardhyl Laçej.

www.shkodrasport.com

Tre atletet e vendeve te para ne kercim se gjati sot, Admir Bregu, Izmir Smajlaj dhe Klint Tula.