Tre pikët e fituara dje ndaj Kastriotit, padyshim që e kanë kënaqur Vllazninë. E kanë bërë atë të jetë tashmë disi më e qetë dhe ta mendojë ndryshe kampionatin. I këtij mendimi është ish-futbollisti i njohur i kombëtares por edhe i Vllaznisë, Klodian Duro.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Skaner” ku është ndalur tek sfida e djeshme e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” duke e quajtur këtë suksese të kuqebluve shumë të rëndësishëm për ecurinë e tyre të mëtejshme në kampionat, raporton shkodrasport.com.

“Unë mendoj se Vllaznia ka bërë një fitore shumë të rëndësishme sepse ka qenë edhe nën presion, qoftë ekipi, qoftë stafi, qoftë ambjenti vetë në Shkodër. Realisht me këtë fitoren ndaj Kastriotit e kaloi balancën në anën e ekipit që di të fitojë.

Vllaznia fitoi ndaj një ekipi shumë të fortë si Kastrioti i cili rri shumë mirë i vendosur në fushë dhe ka edhe lojtarë me eksperiencë që duke qëndruar të vendosur mirë prapa, të çojnë edhe tek rezultati siç e ka bërë edhe vjet në Shkodër kur fitoi 1-2.

Duhet thënë se Vllaznia pati fatin që shënoi shumë shpejt dhe diti ta menaxhojë pastaj deri në fund duke u mbrojtur mirë dhe duke mos kaluar në aventura. Kuptohet që duke tentuar vetëm ta mbrojë rezultatin, edhe do të kesh vështirësi. Megjithatë ajo mori atë që donte, mori trepikëshin, është më e qetë tani sepse ka edhe eksperiencën e viteve të kaluara”- ka deklaruar Klodian Duro./SHKODRA-SPORT.COM/