Shitja e Sindrit Gurit nga Kukësi u bë për shifrën e 710 mijë eurove dhe sigurisht që te klubi verilindor janë të kënaqur me atë që kanë përfituar. Por tanimë ka dalë një problem që ka të bëjë me pagimin e taksës së solidaritetit të lojtarit.

E parashikuar nga rregullorja e FIFA-s, ajo duhet të paguhet dhe është KF Shkodra që kërkon të marrë atë që i takon. Bëhet fjalë për shumën e 10 mijë eurove që duhet t’i marrë klubi privat, që ka formuar lojtarë cilësorë ndër vite.

Taip dhe Rudi Piraniqi, të cilët drejtojnë KF Shkodrën, sikurse raporton Telesport, kanë pasur një kontakt me juristin e Kukësit, Arsen Selmanaj. Ai ka kërkuar dokumentacionin që provon se Guri ka qenë pjesë e KF Shkodra, gjë që i është vënë në dispozicion.

Telenovela ka vijuar më tej, teksa nga ana e Kukësit është garantuar se taksa e solidaritetit do të merret nga Ostende. Këta të fundit nuk kanë ndërmend ta paguajnë dhe sqarimi i tyre është i qartë: sipas kontratës, Kukësi ka marrë përsipër ta bëjë pagesën.

Këtu ka mbetur gjithçka dhe pritet që KF Shkodra ta çojë çështjen në FIFA nëse nuk merr atë që i takon. Janë të shumta klubet e vogla që i kanë fituar çështje të tilla dhe Kukësi, apo Ostende, duhet t’i japë drejtim kësaj çështjeje.