Xhovani Kolela debutoi me fitore në stolin e Partizanit në miqësoren ndaj Teutës, e zhvilluar në Durrës dhe e fituar me përmbysje me shifrat 1-2 nga “demat”. Te të kuqtë u pa një fytyrë krejt tjetër e ekipit në lojë, në krahasim me ndeshjen ndaj Bylisit. Skuadra ishte ndjeshëm më e lëvizshme dhe krijoi raste të shumta. Trajneri i ri kishte bërë disa ndryshime në formacion, që rezultuan mjaft të goditura.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, e para e tij si trajner i Partizanit, Kolela tregon përshtypjet pas ndeshjes së parë dhe nuk heziton aspak të zbulojë objektivat e të kuqve. Ai tregon se ka ardhur për titullin. Kolela shton gjithashtu se pret një sulmues nga merkatoja.

Kjo është hera e dytë që vini në Shqipëri. Kush ju propozoi për të qenë trajner i Partizanit?

Më ka kontaktuar drejtori Marini, me të cilin kam miqësi dhe njihem prej shumë vitesh.

Keni drejtuar Apoloninë, por u larguat pas vetëm 7 ndeshjesh, ndërsa tashmë jeni në një klub që ka synime madhore. Çfarë prisni të arrini te Partizani?

Këtu janë objektiva të rëndësishëm, pasi Partizani kërkon të fitojë kompeticionet ku merr pjesë, pra kampionatin dhe Kupën. Kur vjen në një klub të rëndësishëm si Partizani nuk mund të kesh objektiva të tjerë.


Partizani ka pasur shumë trajnerë italianë në drejtim, por thuajse asnjëri nuk ka pasur sukses. Mendoni se do ta thyeni ju këtë “tabu”?

Nëse nuk do ta mendoja, nuk do të kisha ardhur këtu.