Shqipëria ka përcaktuar për të luajtur një miqësore në muajin tetor, përkatësisht në datën 26 kundër Arabisë Saudite, ndeshje që do të luhet në Abu Dabi. Në fakt, data që është zgjedhur, nuk është zyrtare nga UEFA dhe praktikisht, Kombëtarja do të vuajë mungesën e shumë futbollistëve që do të jenë të angazhuar me klubet respektive.

Në të njëjtën datë, Interi do të luajë ndaj Plzenit dhe Kristjan Asllani do të jetë aty apo edhe Armando Broja që në datën 25 ka një përballje me Çelsin ndaj Salzburgut. Gjithashtu, edhe futbollistë si Marash Kumbulla apo Elseid Hysaj që do të jenë të angazhuar me Romën dhe Lacion në kompeticionet europiane që luhen në mesjavë.

Megjithatë, nuk mendohen vetëm këto mungesa, pasi kemi edhe dëmtimet, me futbollistë si Gjimshiti, Ismajli dhe Manaj që me shumë mundësi nuk mund të jenë gati për këtë miqësore. Kështu, ndaj Arabisë Saudite do të shohim një Shqipëri me shumë futbollistë të rinj.

Për t’u nisur nga fakti që organika e Shqipërisë për miqësoren me Arabinë do të jetë e përgjysmuar, mund të jetë një shans për shumë emra të rinj apo edhe për rikthime. Aktualisht, ka shumë futbollistë shqiptarë që mezi presin një ftesë nga Kombëtarja që të tregojnë veten e tyre.

Një nga këta lojtarë është edhe mbrojtësi i majtë nga Vermoshi, Mario Mitaj. Për të do të ishte një mundësi e mirë pas transferimit te Lokomotiva e Moskës. Mitaj ka qenë edhe më parë me Kombëtaren, por mund të ketë sërish një mundësi tjetër që të tregojë veten e tij në krahun e majtë të mbrojtjes.

Në fakt, thuhet se për këtë miqësore do të luajnë shumë futbollistë të kampionatit shqiptar, ashtu siç Kombëtarja luante vite më parë ndaj Argjentinës në një test miqësore. Ndoshta, këtë mundësi të mirë mund ta shfrytëzojë edhe ndonjë futbollist i Vllaznisë në rast të një forme pozitive, me ndonjërin prej tyre që ndoshta mund t’i jepet fati për t’u thërritur në Kombëtare. Megjithatë, duhet parë deri në prag të ndeshjes miqësore kundër Arabisë Saudite se kush mund të ftohet nga trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja.
Maringlen ZHIVANI