Aventura e tij te Vllaznia zgjati pak. Erdhi në janar dhe u largua pa u mbyllur sezoni (një javë më parë). Kroati Gordan Vuk nuk e kishte menduar kurrë se do të dështonte në Shqipëri. “Vija nga një ekip si Karlovac dhe isha lojtar i afirmuar në kampionatin kroat. Më trajtuan si mos keq pas largimit të trajnerit Vata. Në një ditë të bukur më thanë: ik nga hoteli, se nuk do të të paguajmë më”, – tregon mbrojtësi 24-vjeçar në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ndër të tjera ai akuzon administratorin Shaba si destabilizues të situatës.
Gordan, si përfunduat te Vllaznia në janar?
Unë isha nën kontratë me klubin e Karlovacit dhe pas një telefonate që pata me menaxherin shqiptar, Mario Cenolli, m’u ofrua mundësia për të ardhur në Shqipëri te Vllaznia. E pranova me kënaqësi ftesën, pasi u konsultova më parë edhe me disa miqtë e mi, të cilët më bindën se kjo nuk ishte një alternativë e keqe.
Si ka mundësi që do të linit për Vllazninë një klub të Ligës së Parë kroat si Karlovac?
Unë te Karlovac isha shumë mirë, pasi luajta në 90% të ndeshjeve të fazës së parë, por në klub lindën probleme financiare dhe drejtuesit nuk kishin më parà që të më paguanin. Kjo ndodhi edhe me shumë lojtarë të tjerë. Në këto kushte, u detyrova të ikja.
Cilat ishin përshtypjet tuaja të para, kur nisët aventurën me ekipin shkodran?
Te them të drejtën në fillim te Vllaznia më trajtuan shumë mirë. Aty luanin edhe disa të huaj të tjerë dhe komunikimi nuk ishte problem. Gjithashtu, me trajnerin Vata komunikonim në anglisht dhe kjo ishte më e lehtë për mua që të përshtatesha shpejt.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me trajnerin Vata dhe drejtuesit e klubit?
Me trajnerin Vata marrëdhëniet kanë qenë të mira. Ishte një person korrekt dhe me kulturë profesionale. E dija që ishte trajner i ri në profesion, por më pëlqente se ishte shumë i komunikueshëm me të gjithë lojtarët. Kjo ta lehtësonte disi punën, por unë kisha relata të shkëlqyera edhe me shokët e skuadrës. Ndërkohë, me drejtuesit e klubit kisha raporte normale derisa iku Vata.
Përse nisën kontradiktat mes jush dhe drejtuesve?
Të kuptohemi, unë nuk kam pasur ndonjëherë kontradikta me drejtuesit e klubit, por ishin ata që kërkonin të kapeshin me mua. Sapo iku trajneri Vata, më shënjestruan mua, por edhe lojtarët e tjerë që trajneri kishte sjellë në skuadër. Kjo ishte e papranueshme dhe joprofesionale për një klub. Atëherë, na tregoni për momentin e largimit.
Kush nga drejtuesit ua komunikoi?
Ishte administratori i klubit, Kujtim Shaba, i cili në një ditë të bukur më tha që duhet të largohesha nga hoteli, sepse klubi nuk mund të paguante më për mua. Gjithashtu, më njoftoi se do të më prishte kontratën. Ishte diçka qesharake, por edhe e pritur për mua, sepse Shaba bënte gjithçka për të destabilizuar situatën. Në këtë kaos edhe unë vendosa të largohesha.
Duket se inatin e keni vetëm me administratorin…
Po, sigurisht. Po ju tregoj diçka. Një ditë Shaba i tha shoferit që na çonte përditë nga hoteli në stërvitje për të mos e bërë me këtë itenerar. Mendoni pak, unë vija nga një shtet i huaj dhe nuk e dija fare gjuhën. Nuk po iu besoja syve çfarë po ndodhte. Pastaj, çmenduria më e madhe ishte në restorantin ku ne ushqeheshim gjithmonë. Ndonjëherë merrnim pije freskuese, por një ditë pronari i lokalit na thotë që Shaba i ka dhënë urdhër të mos na japi më pije freskuese, përveç ujit. Kam shume vite që luaj në futbollin profesionist, por kjo s’më kishte ndodhur kurrë.
OK, por si e shpjegoni faktin që në disa ndeshje keni bërë gabime dhe më pas jeni kritikuar nga stafi teknik apo drejtuesit?
Duhet të kuptoni që unë vija nga një kampionat tjetër dhe doja pak kohë të përshtatesha. Për kritikat që më janë bërë, pranoj vetëm gabimet për ndeshjen e parë me Flamurtarin. Nuk u paraqita në nivelin e duhur, por më pas kam dhënë maksimumin tim.