Portugalia i ka dhënë lamtumirën Botërorit dhe ka nisur menjëherë “gjyqi” për të gjithë protagonistët e këtij dështimi. Personi ndër më të kritikuarit është trajneri Fernando Santos, i cili akuzohet se ka marrë vendimet e gabuara në shumë situata.

Lënia në stol e Ronaldos nuk është akuza kryesore që i bëhet nga shumëkush, por ajo e Rafael Leaos i cili po kalonte një moment fantastik e duhej shfrytëzuar në maksimum.

Aktivizimi i tyre në rol episodik apo edhe për të dalë nga situata siç ndodhi me Marokun, nuk shpëton trajnerin për të cilin tifozët kërkojnë që të largohet.

Pas sfidës, vetë Fernando Santos bëri të qartë se dita e nesërme do të ishte ajo ku do të merrej vendimi për të ardhmen e tij. “Nesër do të udhëtoj drejt Lisbonës dhedo të diskutojmë me presidentin rreth të ardhmes time, si gjithmonë”, deklaroi trajneri i cili në vitin 2016 drejtoi këtë eklp drejt titullit Kampion Europe si dhe më pas edhe në fitoren e trofeut të Ligës së Kombeve.

Megjithatë, pritshmëria e krijuar në opinionin publik është që Fernando Santos të shkarkohet dhe në drejtimin e përfaqësueses të vendoset një emër më i ri, që duhet të nisë një cikël pa “veteranët” si Ronaldo e Pepe.