Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Parë e sheh si një mundësi shumë të mirë për të rritur të ardhurat e klubit.

Për kuqeblutë, sipas Likës, nuk ka vend për të festuar, por thjesht dhe vetëm për të marrë atë shpërblim prej 30 milionë lekësh të vjetër që FSHF-ja ka vendosur në dispozicion për klubin që e fiton këtë trofe.

“Ne po përgatitemi tani jo për ndeshjen e fundit të sezonit, por më shumë për takimin final të këtij kompeticioni. Për ne nuk ka aspak vend për të festuar apo për të quajtur fitimin e këtij trofeu si një arritje. Thjesht, fitorja e këtij trofeu do të rrisë financat e klubit dhe do ta ndihmojë atë sadopak në lidhje me shpenzimet.

E thënë më shkurt dhe troç, ne nuk luajmë për trofe pasi nuk ka vlerë, por luajmë për atë shumë të vendosur nga FSHF-ja”, u shpreh kapiteni Lika në prononcimin e tij për gazetën.

E ARDHMJA
Kapiteni së bashku me të gjithë lojtarët e tjerë, të cilët kanë sakrifikuar një vit me ekipin e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, presin që sezonin e ri të jenë sërish pjesë përbërëse e këtij ekipi. Ata, madje, kërkojnë që të rikthejnë këtë skuadër në ditët e saj më të mira.

“Normalisht që do të vazhdoj të jem pjesë e këtij ekipi. Sakrifikuam një vit në Kategorinë e Parë dhe e sollëm këtë skuadër sërish në elitë dhe tani pres që me këtë ekip të shkojmë sa më lart në Superiore vitin që vjen, për ta rikthyer Vllazninë aty ku e ka vendin”, vijoi ai.

AFRIMET
Kapiteni kuqeblu është i mendimit se nëse do të kërkohet një Vllazni cilësore në sezonin e ri, duhen patjetër përforcime në skuadër.

“Mendimi im është se boshti është, por që të jemi me pretendime dhe të kërkojmë më të mirën, duhet që drejtuesit të bëjnë ndërhyrje cilësore në merkato. Mendoj se drejtuesit duhet t’ia kenë nisur nga gjetja e këtyre emrave. Shpresoj që rikthimi ynë të jetë bindës dhe jo të endemi sërish për mbijetesë”, deklaroi mesfushori shkodran Gilman Lika në prononcimin për gazetën.

Sipas kalendarit, Vllaznia këtë fundjavë e ka pushim, ndërsa do të rikthehet të luajë javën e ardhshme ku do të presë Erzenin në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë e kanë siguruar prej kohësh rikthimin në Superiore, ndërsa tashmë janë përqendruar te finalja që do të luajnë ndaj Bylisit. Pritet që javën e ardhshme, FSHF të përcaktojë datën dhe vendin ku do të luhet finalja e Kategorisë së Parë.