Atletja shqiptare, Luiza Gega vijon të shkëlqejë në turnetë ndërkombëtarë. Kampionia kuqezi ka vendosur sot një rekord të ri kombëtar në garën e 5 km rrugë. Gega fiksoi kohën 15 minuta e 16 sekonda në eventin prestigjioz “Semi Marathon” që u mbajt në Lille të Francës.

Gega përmirësoi kohën e saj me 23 sekonda, pasi më herët në gjysmë maratonën e 5 kilometrave shënonte 15:39. Për vetëm 2 sekonda, shqiptarja do kishte mundur të thyente edhe rekordin ballkanik të kësaj kategorie.

Me kohën 15:16 Gega u rendit në vend të shtatë në Lille, por vlen për t’u theksuar se ky rezultat ishte më i miri i arritur nga sportistet evropiane në një aktivitet që pa të konkurronin atletet më të mira të botës.

Vendi i parë në Lilë i takoi kenianes Caroline Nayaga me rezultatin 14:35, ndërsa podiumi u plotësua nga etiopiania Mekedis Abebe dhe keniania tjetër Doris Lengole Cherop.

Luiza Gega ka plot 12 rekorde kombëtare që mbajnë firmën e Luiza Gegës në disiplina të ndryshme të atletikës, duke nisur nga distancat e mesme deri te të gjatat (800m, 1500m, 2000m/p, 3000m, 3000m/p, 5000m, 10000m, gjysmë maratonë, maratonë, 800m “indoor”, 1500m “indoor”, 3000m “indoor”).