Zv.trajneri i Vllaznisë u-19, Malvin Meçarovi ka komentuar së fundmi për fitoren e Vllaznisë kundër Tiranës. Në fjalët e tij ai theksoi se kuqeblutë treguan forcën dhe cilësitë e tyre, duke hedhur kështu një hap drejt titullit aq të kërkuar. Po ashtu Meçarovi vlerëson shumë edhe Balajn që i jep një dimension tjetër sulmit kuqeblu.

Meçarovi tha: “Mund të thonë se ndeshja ndaj Tiranës nuk kishte ritmin e duhur nga dy ekipet, por nuk e shoh kështu. Sepse këto janë ndeshje për titullin e vendosen nga detajet. E aty Vllaznia u tregua shumë më saktë dhe zbatoi me përpikmëri detyrat e trajnerit Josa. Mendoj se kuqeblutë shfaqën më tepër se Tirana dhe e merituan fitoren.

Kjo është një fitore që tregon se ne e duam titullin kampion. Po them ne, i gjithë komuniteti i sportit në Shkodër dhe gjithë tifozët duan atë kampionat që mungon prej vitit 2001. Dhe ekipi duket se është i motivuar dhe kjo mund të jetë e treta e vërteta pas dy kupave të fituara në dy edicionet e shkuara.

Balaj? I jep deminsion tjetër sulmit, pavarësisht se ende nuk ka shënuar ai është pikë referimi për ekipin. Jep më të mirën, nuk është egoist dhe është i aftë të udhëheqë. Ndaj Tiranës ishte ndër më të mirët në fushë dhe uroj që të zhbllokohet shumë shpejt pavarësisht se niveli i tij i lojës është shumë i lartë deri më tani”.
Endri ÇINARI