Vllaznia e femrave u shpall edhe fituese e Kupës së Shqipërisë, por këtë e bëri duke fituar aforfe ndeshjen finale ndaj Apolonisë, e cila nuk u paraqit në shenjë proteste ndaj disa vendimeve të FSHF-së.

Por, ndonëse vajzat shkodrane festuan trofeun, njëra prej tyre nuk është ndjerë aspak mirë. E kemi fjalën për të mirënjohurën Megi Doçi.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” ajo është shprehur se mezi priste të luante në këtë ndeshje dhe për më tepër ndaj këtij kundërshtari.

“Të them të drejtën po e prisja me shumë emocion finalen ndaj Apolonisë, për vetë faktin se edhe Vllaznia e meshkujve për fajin e Apolonisë në ndeshjen e fundit, nuk arriti të dalë kampione dhe doja “të merrja hak”.

Kisha një dëshirë shumë të madhe që të luhej kjo finale dhe ne të tregonim vlerat tona në fushën e lojës, për të dhanë maksimumin dhe për të shënuar shumë.

Kuptohet që jemi të lumtura që e fituam edhe këtë kupë, por do të ishim më të lumtura sikur ta fitonim duke luajtur në fushë ndaj Apolonisë, por kjo nuk ishte në dorën tonë, gjithsesi trofeu shkon për Vllazninë dhe ajo meriton gjithçka”./SHKODRA-SPORT.COM/