Të gjithë pritnin ta shihnin në fushë por Armando Broja nuk ia doli që të ishte gati për ndeshjet e përfaqësueses shqiptare në ditët e kaluara.

Lojtari pasi kishte shfaqur një formë mëse të mire në duelet e mëparshme në Ligën e Kombeve, mendohej se do të kishte përsëri një rol protagonist në grupin kuqezi.

Por sulmuesi praktikisht u stërvit vetëm një ditë pasi mbërriti në Shqipëri, pasi sipas stafit kuqezi, kishte probleme muskulore dhe nuk ishte në gjendje që të jepte kontributin e tij në fushën e lojës.

Kështu, Broja vendosi të kthehej menjëherë në Holandë, pa pritur ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë, për t’i paraprirë një karantine të mundshme në këtë vend pas udhëtimit nga vendi ynë që futet në zonat e kuqe në Europë për COVID-19.

Megjithatë, mediat në Holandë raportojnë se situata e futbollistit është përmirësuar dhe se ai pritet që të jetë protagonist me klubin e tij në këtë fundjavë.

Broja mund të zbresë në fushë që të shtunën ndaj Groningen, ku ai shpreson që të vazhdojë serinë e golave të këtij sezoni, pasi ka shënuar 4 të tillë në 8 ndeshje të luajtura me Vitesen. /vipsport/