Vllaznia do zbresë ditën e nesërme në fushë për ndeshjen e javës së 17-të të Superioress. Shkodranër rikthehen të luajnë për herë të parë në “Loro Boriçi” për vitin 2023 dhe përballë do kenë Laçin në orën 16:00. Një duel aspak i lehtë dhe që garanton për një dozë të mirë vështirësie për të besuarit e Joses. Megjithatë objektivi për ndeshjet shtëpiake mbetet vetëm fitorja.

E statistikat e dueleve të fundit mes kuqebluve dhe kurbinasve në Shkodër peshojnë disi më shumë nga krahu i Vllaznisë. Kështu në edicionin e shkuar Vllaznia merrte një fitore me shifrat 1-0 kundër Laçit në “Loro Boriçi” falë një goli të Da Silvas në fazën e dytë.

E në fazën e katërt gjithçka do përfundonte në shifrat 0-0 mes Vllaznisë dhe Laçit në Shkodër. Po ashtu në sezonin 2020-21 shifrat do ishin më pozitive për Vllazninë në duelet në Shkodër. Kështu në atë sezon kuqeblutë mposhteshin 1-2 nga laçianët në fazën e dytë në Shkodër.

E ndërsa do triumfonin 2-0 në ndeshjen e fundit të atij edicioni në “Loro Boriçi”. Por po në atë sezon, Vllaznia fitonte 1-0 në kupë kundër Laçit në Shkodër. Duke marrë kështu kualifikimin për në finale, ku më pas mposhti Skënderbeun me shifrat 1-0.

Patjetër që statistikat në vetvete nuk tregojnë asgjë, por është një fakt që ndeshjet shtëpiake këtë sezon për Vllazninë janë një pikë shumë e fortë. E patjetër që faktori fushë do shfrytëzohet edhe nesër për të arritur rezultatin maksimal kundër bardhezinjëve.
Endri ÇINARI