Mbyllja e sezonit futbollistik është shoqëruar edhe me ndryshime në pankinën e ekipit të futbollit të femrave “Juban Danja”. Kështu, nga sa bëhet e ditur, trajneri Kastriot Preka dhe ndihmësi i tij Ardit Gjelaj e kanë mbyllur bashkëpunimin me këtë ekip dhe i kanë dhënë lamtumirën atij.

Ndërkohë presidenti i “Juban Danja” Ferdinand Jaku i ka falenderuar këto dy trajnerë për punën e bërë përgjatë gjithë sezonit. Vendi i pestë që ekipi arriti në përfundim të kampionatit ndër 12 pjesmarrësit, mund të konsiderohet pozitiv për themeluesit e futbollit të femrave në vendin tonë.

Themi pozitiv sepse shumica e ekipit ka qenë e përbërë nga vajza të reja, të cilat kanë dhënë maksimumin e tyre megjithatë kaq kanë qenë mundësitë. Ndërkohë nga sa bëhet e ditur, në përgatitjet e skuadrës për sezonin e ri, atë do ta drejtojnë Paula dhe Loreta Jaku. Dy trajnere këto që e njohin mjaft mirë këtë ekip dhe tashmë do të japin edhe kontributin e tyre si trajnere.

Në sezonin e ri pritet që “Juban Danja” të ketë objektiva më ambicioze dhe synimi do të jetë për t’u renditur në tre vendet e para. Nëse është e nevojshme presidenca do të ndërhyjë edhe në merkato për të bërë 2-3 përforcime cilësore, me të cilët do të rritet konkurrenca dhe njëkohësisht edhe forca në raport me kundështarët.

Siç dihet, “Juban Danja” është krijuar në vitin 2005 duke qenë i pari ekip i futbollit të femrave në Shqipëri dhe në ecurinë e saj 14 vjeçare, suksesin më të madh ka patur fitimin dy herë të Kupës së Shqipërisë.

Fitimi i një titulli kampion ka qenë ëndrra e madhe e presidentit Jaku megjithatë deri më tani ajo nuk është bërë realitet. Ndonëse duket e vështirë, nuk është çudi nëse do të realizohej në sezonin e ardhshëm.
© shkodrasport.com