Huazimi i Felipe Kutinjos te Bajern Mynih vetëm do të shpëtojë Barcelonën nga rroga e futbollistit brazilian pasi katalanasit nuk do të përfitojnë asnjë gjë tjetër financiarisht, edhe pse marrëveshja parimore është nënshkruar kundrejt një pagese.

Sipas asaj që është mësuar, Kutinjo do të huazohet për një shifër të përafërt me 18 milionë paund. Por kjo shumë do të kalojë direkt në arkat e Liverpulit, pasi katalanasit vazhdojnë të paguajnë edhe për transferimin e futbollistit, të cilin nuk e kanë shlyer ende për shifrën 145 milionë paund me të cilën e transferuan një vit e gjysmë më parë.

Ndërkohë, në marrëveshjen e nënshkruar mes Barcelonës dhe Bajern Mynih, parashikohet që Kutinjo të transferohet për 120 milionë paund në radhët e bavarezëve në fund të sezonit, nëse këto do të aktivizojnë klauzolën për të blerë futbollistin brazilian i cili nuk bindi në vitet e tij në Spanjë.