Nesër starton kupa “Agim Tafili” e cila do të zgjasë dy ditë dhe tashmë ekipet dhe sportistët pjesmarrës janë gati për nisjen e etapës së parë, asaj me itinerar Tiranë- Shkodër, që do të bëhet paraditen e së shtunës.

Ekipi i Vllaznisë ka kohë që përgatitet për këtë garë dhe trajneri Leonat Kola në një prononcim për “Shkodra Sport” bën të qartë edhe objektivat e këtij ekipi kur thotë: “Kemi kohë që përgatitemi për këtë garë. Objektivat tona janë të qarta për ta përmbyllur me sukses këtë aktivitet që zhvillohet në nderim të një ikone të çiklizmit shqiptar si Agim Tafili.

Kështu, ne do të marrim pjesë me plot 10 sportistë në këtë aktivitet ku me të tre grupmoshat përkatëse kemi pretendimet tona për të fituar. Me të rriturit, synojmë vende të para me çiklistët Bruno Kola e Astrit Kronaj që gëzojnë një formë shumë të mirë sportive.

Po ashtu edhe me juniorët ku të tre pjesmarrësit në këtë kategori, Defrim Dholla, Gjergj Zefi dhe Samuen Bajrami janë pretendentë për të fituar.

Sakaq risia e Vllaznia është pjesmarrja me ekip të plotë edhe me kadetët tashmë ku synojmë fitoren me Mateo Balajn por edhe të tjerët. Balaj në dy garat e para të këtij viti, që janë të parat për të si çiklist sepse ka vetëm pak muaj që e ushtron këtë sport, ka zënë një vend të parë dhe një të dytë, çka tregon se ka një të ardhme të mirë përpara”.

I pyetur nëse është obligim më shumë fitorja e kësaj kupe ngaqë ajo zhvillohet në Shkodër dhe për më tepër në nderim të Agim Tafilit, trajneri Kola shton: “Padyshim që fitorja në këtë aktivitet është detyrë për çiklistët e Vllaznisë sepse ai zhvillohet në nderim të figurës së madhe të Vllaznisë por edhe të kombëtares shqiptare Agim Tafilit dhe kjo do të ishte mënyra e duhur për ta nderuar siç duhet atë”.
© shkodrasport.com