Pasi u largua nga Shqipëria në janar duke lënë ekipin e Vllaznisë për Ljungskile të Suedisë, Arlind Kalaja duket se nuk e ka pasur aspak të vështirë përshtatjen.

“Jam përshtat shumë shpejt për shkak të mënyrës se si më ka pritur ekipi ku kam ardhur që në momentet e para. Ndihem vërtetë mirë në Suedi,”-tha Arlind Kalaja, futbollist i Ljungskile.

Në Shqipëri fushat stërvitore dhe kushtet për një futbollist janë në limitet e të qenurit profesionist.
“Nëqoftëse marrim parasysh kushtet e stërvitjes, mënyra se si trajtohet një sportist, më duhet ta pranoj se është një nivel krejt ndryshe nga Shqipëria. Në aspektin sportive nuk flas dot sepse ende nuk e kam bërë ndeshjen e parë në kampionat,”-deklaroi Arlind Kalaja, futbollist i Ljungskile.

Mesfushori sulmues e ka të qartë se çfarë kërkon në Suedi si në aspektin professional ashtu edhe në nivel klubi.

“Ekipi ku jam aktualisht e shoh si një trampolinë për të hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën time. Normalisht pa harruar edhe objektivin e ekipit, që është ngjitja në një kategori më lart dhe besoj se është i arritshëm, duke parë cilësitë e skuadrës,”-u shpreh Arlind Kalaja, futbollist i Ljungskile.

Arlind Kalaja përveç Vllaznisë në Superligë ka qenë edhe pjesë e Kukësit, Kastriotit dhe Teutës.