Opinion nga Redan BUSHATI

Tifozë të zjarrtë të Vllaznisë, veçan tifogrupi “Vllaznit Ultras”, që sot vezulluat Korçën; të nderuar sportdashës e futbolldashës, miq e kolegë gazetarë, të gjithë bashkë ta urojmë në kor Vllazninë, jo pse ndaloi ekipin kampion në fuqi të vendit, por e bëri garën e kampionatit më të bukur:

“Urime!” – urime të cilat më së shumti duhet t’i atribuohen teknikut Artan Bushati dhe futbollistëve, të cilët në një kohë të shkurtër iu bindën dhe përvetësuan mendimet e trajnerit të ri, në mënyrën e sjelljes në fushë, e sidomos rikthimin e mentalitetit fitues. Gjithsesi, kuqeblutë s’duhet të fluturojnë, teksa ndeshje të tjera i presin.
Asnjë trajner nuk ka shkopin magjik e si rrjedhojë nuk mund të ndryshojë një skuadër në një kohë kaq të shkurtër, por ama Bushati arriti të punojë kryesisht në planin psikologjik. Ndaj Skënderbeut, ekipi u tregua superior. Luftoi fort për topin e parë, ndërtoi aksione ngjashëm sikur po luante në «Loro Boriçi” dhe në fund fitoi pastër, ashtu siç e ka në gjak Vllaznia, në traditën e futbollit të saj: lojë e bukur dhe rezultative.
Me lojën e treguar, ekipi u dha leksion jo vetëm institucionit të Bashkisë, jo vetëm presidentëve të ndryshëm që e kanë drejtuar Vllazninë, por edhe çdo skeptiku, i cili në çdo merkato hedh sytë nga tregu i huaj. Sot në krye të stolit të Vllaznisë ishin shkodranë, të cilët me vite kanë kontribuar për futbollin, sidomos dyshja Bushati-Sinani. Po ashtu, autori i golit ishte “prodhim” vendas, e në këtë kontekst postulati logjik na thotë që “Drejtuesit e Vllaznisë duhet të punojnë profesionalisht, pasi vetëm kështu do të mund të korrin suksese të njëpanjëshme”.
Asgjë nuk ka ndryshuar në organikën e futbollistëve, madje ka dy largime (Osmani dhe Hysa), por nga faza e parë në të dytën Vllaznia ka ndryshuar mentalitetin. Vllaznia ndryhej në mbrojtje edhe në Shkodër, ndërsa sot ajo ishte në ekuilibër të plotë, duke u mbrojtur me kujdes dhe kundrazbritur vetëtimthi. Kjo është Vllaznia që duam, ndaj “epoka Bushati” ka nisur suksesshëm. Të besojmë se kështu do të sillen në vazhdimësi lojtarët, duke u përqendruar në skemat e trajnerit, i cili nga përvoja mund t’i jap mjaft Vllaznisë. Në fund duhet falenderuar edhe presidenti Agron Çela, i cili ishte si të thuash “autori” i uljes në pankinë të një shkodrani profesionist si Artan Bushati. Rrugëtim të mbarë kuqebluve tanë!