Vllaznia-Partizani është dueli që do marrë vëmendjen e të gjithëve këtë javë në kampionat. Një duel që luhet për një vend në Europë dhe që mund të vendosë përfundimisht fatet e njërës prej skuadrave në Superligë. Duel që do luhet të shtunën në orën 16:45.

Por përveç dy skuadrave apo edhe lojtarëve që do jenë përballë njëri-tjetrit apo edhe tifozerive, një duel do jetë edhe mes dy trajnerëve. Elvis Plori nga krahu i Vllaznisë dhe Dritan Mehmeti në pankinën e Partizanit. Dy trajnerë të rinj në eksperiencë në Superligë në drejtimin e dy prej skuadrave më të rëndësishme në vend.

Dy trajnerë shumë të ngjashëm, kjo pasi në karrierën e tyre kanë drejtuar me sukses në futbollin e moshave. Për të vijuar me Kategorinë e Parë ku Plori me ekipe të ndryshme si: Kastrioti, Besëlidhja apo Burreli bëri emër, e po ashtu Mehmeti me Korabin apo Dinamon filloi të shfaqej si trajner në futbollin r madh.

Tashmë të dy në krye të pankinave të ekipeve të tyre të zemrës. Të ardhur në emergjencë të dy si zëvendësues të Brdaric dhe Dajes. Të dy për të shpëtuar sezonin e skuadrave respektive. Tashmë të shtunën në përballjen e rradhës.

Gjithçka ka qenë e barabartë në duelet e dy trajnerëve deri më tani, pavarësisht se Plori ka në avantazh kualifkimin në finalen e kupës kundrejt Mehmetit. Një përballje e brezit të ri të trajnerëve në Superligë që garanton për një ndeshje të luftuar në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI