Java e pestë e kampionatit të moshave të Kategorisë së Parë ka prodhuar për Akademinë Shkodra me tre grupmoshat e saj, U-19, U-17 dhe U-13 dy humbje dhe një fitore në përballjet e tyre me Besën. Ndërkohë që, ndeshjet e U-14 dhe U-15 nuk janë zhvilluar si pasojë e kushteve atmosferike ditën e shtunë në Shkodër.

Kështu, ekipi i 17-vjeçarëve të Shkodrës ka dalë i humbur nga ndeshja me Besën, ballafaqim i vlefshëm për javën e pestë. Kjo ndeshje është luajtur në Kavajë dhe në fund të saj, kanë qenë vendasit, të cilët kanë fituar me rezultatin 2-1.

Ata kanë besuar deri në fund tek fitorja dhe ia kanë dalë ta bëjnë ndaj ekipit shkodran. Këta të fundit ngushtuan diferencën në pjesën e dytë me anë të Taramanit, në minutën e 62-të, pasi Besa kishte shënuar dy gola, nga një për çdo pjesë.

Në fund, i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 2-1 për Besën. Pas kësaj humbjeje, ekipi i Shkodra U-17 renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit në kuotën e 10-pikëve. Megjithatë, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe nëse ky ekip bën mirë, mund t’ia dalë në synimet që ai ka.

Ndërkohë, Shkodra U-19, në ndeshjen e saj po ndaj Besës, është mundur nga këta të fundit me shifrat 2-0. Kjo sfidë u zhvillua po në Kavajë dhe kanë qenë dy gola të vendasve në pjesën e parë që i kanë dhënë humbjen ekipit të Shkodra U-19.

Në fakt, pavarësisht rezultatit, Shkodra U-19 kontrolloi mirë topin dhe lojën në momentet kryesore të ndeshjes. Futbollistët shkodranë tentuan të reagonin pas golave, teksa krijuan disa raste, por pa i finalizuar dot me sukses ato. Tashmë, pas kësaj humbjeje, Shkodra U-19 renditet në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit me vetëm dy pikë.

Ndërkohë, Shkodra U-13 fitoi po ndaj Besës me rezultatin e thellë 0-7. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë dhe realizimi i parë i sfidës erdhi nga Guri, që kaloi në avantazh Shkodrën U-13.

Muçobega dhe Narkaj u kujdesën të realizonin edhe dy gola të tjerë gjatë pjesës së dytë, teksa po në këtë fraksion të lojës, shkodranët shënuan edhe katër gola të tjerë, që të gjithë me anë të Regis Sukajt.

Pas kësaj fitoreje, Shkodra U-13 renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit në kuotën e pesë pikëve. /Maringlen ZHIVANI/

U-17: Besa-Shkodra 2-1

Goli për Shkodra U-17: Taramani 62’

Formacioni për Shkodra U-17: Shkambaj, Meti, Skuqaj, Bizi, Prendi, Ymeraj, Rrahi, Gjylbegaj, Taramani, Danaj, Gëlqerja (u aktivizuan: Dibra, Medha) Tr: Semir Gokaj

U-19: Besa-Shkodra 2-0

Formacioni i Shkodra U-19: Vitaj, Nikaj, Guri, Gjelaj, Limani, Agraja, Hoxhaj, Curraj, Rroshullaku, Hyseni, Gjolaj (u aktivizuan: Rroku, Ujka, Luani) Tr: Ersi Çaku

U-13: Besa-Shkodra 0-7

Golat për Shkodra U-13: Guri, Sukaj (x4), Muçobega, Narkaj

Formacioni i Shkodra U-13: Xhilaj, S. Prendi, Sukaj, A. Prendi, Narkaj, Osja, Gucija, Mlloja, Guri (u aktivizuan: Lekaj, Muçobega) Tr: Rudi Piraniqi