Pikërisht në momentet e vështira që po kalon futbolli shkodran dhe Vllaznia, vjen edhe një tjetër lajm i hidhur për të.

Ditën e djeshme është përcjellë për në banesën e fundit një nga tifozët e zjarrtë të kësaj skuadre.

Bëhet fjalë për Shaqir Elbasanin të cilin të gjithë Shkodra e ka njohur ndryshe si “Fallusha”.

Ai është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeçare pikërisht në momentet më të vështira që po kalon skuadra e tij e zemrës.

Elbasani e ka parë duke rënë Vllazninë nga kategoria edhe në vitet 1956 dhe 1961 por këtë të tretën ndoshta zemra e tij nuk e përballoi dot.

Para viteve ’90, “Fallusha” mbahet mend nga të gjithë si kryetifozi i kësaj skuadre, njeriu që organizonte tifozët në çdo ndeshje dhe ka qenë një person shumë i dashur për të gjithë.

Pasionin e tij për futbollin dhe sportin në përgjithësi, e përçoi edhe tek i biri- Ymeri i cili për shumë vite me rradhë në rolin e fotografit, ka qenë i pranishëm në të gjitha ndeshjet e Vllaznisë.

Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet familjes Elbasani për humbjen e njeriut të saj të dashur, këtij tifozi që do të ngelet gjatë në memorien e të gjithë shkodranëve.
© shkodrasport.com