Të gjesh një sulmues race në ditët që flasim është mjaft e vështirë. Lojtarë që premtojnë një thes me gola janë shumë të rallë, ndërsa Superiorja i ka me pikatore.

Guri është golashënuesi i këtij viti me 15 gola, ndërsa Pejiçi apo Salihi që shënonin mbi 25 janë një kujtim i bukur.

Në kushte që po flasim, një sulmues i ri me origjinë shqiptare po gjen minuta dhe ka debutuar në kampionatin grek të futbollit.

Fjala është për Renato Zikon, ky i fundit luan për ekipin e Platanias në Superligën greke dhe ka arritur të debutojë me këtë skuadër.

Mosha e tij është e re dhe ka të dhëna premtuese, pasi është vetëm 20 vjeç. Ai luan prej vitesh në Superligën greke dhe ka gjetur përkrahje te ekipi i Platanias, pavarësisht se nuk ka marrë shumë minuta.

Këtë sezon ka luajtur në 2 ndeshje duke koleksionuar vetëm 27 minuta, 6 takime ka qëndruar në pankinë.

Ekipi i Platanias ka rënë në ligën e dytë greke dhe po mundohet që të promovojë futbollistët e rinj. Ziko po mundohet të shfrytëzojë faktin se ekipi i tij ka rënë dhe të marrë sa më shumë minuta.

Platanias mbyll renditjen e klasifikimit në vendin e 16-të me vetëm 10 pikë. Ekipi grek ka siguruar rënien pas disa vitesh, ndërsa duket se Ziko nuk e ka ndërmend të qëndrojë aty.

Lojtari 20-vjeçar po mundohet të gjejë një ekip të ri për veten dhe nuk përjashtohet mundësia që në verë të transferohet në Superioren shqiptare.

Ai është parë së fundmi nën praninë e menaxherit Drini Çaushi dhe kjo e lidh drejtpërdrejtë me ndonjë lëvizje drejt Superiores.

Në fakt, Ziko ka moshën dhe për kombëtaren e Shpresave dhe mund të shihet nga trajneri Bushi, por fillimisht i duhet të luajë rregullisht dhe të fitojë formën e duhur. /EDS/