Vllaznia ka mbyllur përgatitjet për përballjen e parë të këtij sezoni. Ata do ta startojnë këtë kampionat në Shkodër përballë Laçit dhe natyrisht pritet që skuadra ta nisë me këmbë të mbarë. Për këtë duket se po mendon trajneri Mirsad Jonuz.
Treshja braziliane e sapoardhur këto ditët e fundit nuk do të jetë e gatshme për këtë sfidë. Sulmuesi Emerson, pavarësisht se është bashkuar me ekipin ditët e fundit të përgatitjeve, sërish nuk duket i gatshëm për Jonuzin. Ndërsa dyshja e mbërritur vetëm dy ditë më parë, mesfushori Gonçalvesh si dhe sulmuesi Uenderson, ende nuk u kanë mbërritur letrat që të bëhet i mundur aktivizimi.
Nisur nga kjo, trajneri Jonuz edhe për takimin me Laçin do t’i besojë formacionit që startoi takimin miqësor ndaj Besëlidhjes.Në portë do të jetë Sherri. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga Gurishta nga e djathta, Shehi e Malota në qendër dhe nga e majta maqedonasi Gligorov. Në mesin e fushës pritet që të jetë treshja H. Marku, Krymi e Kruja.
Pas Pusit që pritet ta nisë këtë sezon si titullar, pritet që të jenë kapiteni Lika e Shtubina. Megjithatë, deri të shtunën Jonuz mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër.