Polonia ka mundur me shifrat 2-0 Arabinë Saudite dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit të mëtejshëm në Kupën e Botës.

Skuadra polake ia ka dalë duke zhvilluar një ndeshje “me llogari” ndaj arabëve të cilët kishin marrë zemër nga suksesi i jashtëzakonshëm kundër Argjentinës. Goli i Zielinskit në pjesën e parë ia bëri më të thjeshtë punën, ndërsa edhe Sheznji u tregua hero duke pritur një penallti para pushimit të ndeshjes.

Në pjesën e dytë ishte Arabia që u shfaq më kërkuese, me polakët të cilët pritën momentet e tyre dhe kundërsulmet për të thumbuar. Milik goditi traversën dhe Levandovski shtyllën, derisa ky i fundit ishte ai i cili theu mallkimin e tij në Botërorë duke shënuar golin e tij të parë në një aktivitet të tillë.

Kështu, Polonia mori një sukses 2-0 që tashmë i jep dy rezultate të mundshme në duelin ndaj Argjentinës si opsion për kualifikimin e mëtejshëm, ndërsa Arabia Saudite do të luajë në ndeshjen ndaj Meksikës një mundësi të mirë kualifikimi të mëtejshëm.

POLONI 2-0 ARABI SAUDITE

Zielinski 40′, Levandovski 82′