Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, insiston se ky ishte maksimumi që mund të bëhej për momentin kundër Valletës. Në konferencën për shtyp pas sfidës, ai i ka kaluar topin stafit që i ka vonuar afrimet e reja, duke kërkuar më shumë kohë me ta, si dhe duke saktësuar se duhej pritur ndeshja e dytë para se të jepej verdikti për paraqitjen e skuadrës.

Për ndeshjen e sotme

“I kënaqur me rezultatin e sotëm padyshim që nuk jam, e vetmja pozitive ishte që nuk pësuam gol. Në pjesën e dytë patëm më shumë kurajë të shkonim përpara. Por fatkeqësisht lejuam shumë kundërsulme dhe e dinim që do të luanin ashtu. Padyshim që shanset për kualifikim janë, e thashë edhe dje që kjo është pjesa e parë e ndeshjes. Jam shumë i bindur që të martën në Maltë do të japim gjithçka që të arrijmë të kalojmë turin”.

Për problemet e skuadrës

“E filluam shumë nervozë, në pjesën e parë patëm probleme në krijimin e lojës. Ka të bëjë edhe se një pjesë e madhe e lojtarëve janë të rinj në skuadër, ka pak ditë që janë afruar dhe kundërshtari është një skuadër me eksperiencë ku e njohin mirë njëri-tjetrin”.

Për paraqitjen e të rinjve

“Nuk dëshiroj të ndalem të lojtarët individuale, roli im është të fokusohem te e gjithë skuadra, ku funksionoi e nuk funksionoi ajo, në pjesën e patë e të dytë. Padyshim që është e vështir për një skuadër që ka 14 ditë që është bashkuar, do kohën e vet, po punojmë dhe kjo do pak kohë”.

Për deklaratën e maltezëve që mund të merrnin më shumë

“Padyshim edhe ata patën rastet e tyre siç i patëm edhe ne, në ndeshjen e kthimit do të shohim kush do të dali fitues”.

Për ndryshimet e shumta dhe afrimet e të rinjve

“Duhet të sqaroj që kur ikin lojtarë nga ekipi, duhet t’i zëvendësosh. Ndryshimi është që kemi pasur kundërshtar përballë një skuadër që ka kohë që luajnë me njëri-tjetrin, e njohin mirë njëri tjetrin. Kam kohë që them që skuadrës i duhet pak kohë. Lojtarët e rinj duan kohën e vet që të njohin mjedisin brenda skuadrës dhe do kohën e vet”.

Për mungesën e Gurit

“Nuk dua t’i kthehem të shkuarës, të shohim para. Bashkë me Nexhipin kemi pasur një listë me lojtarë, është e vështirë se përzgjedhja është e vështirë në varësi të buxhetit të skuadrës, dikush do më shumë dikush do më pak. Por fokusi është përpara, të shohim drejt të ardhmes”.

Nëse e sheh merkaton e mbyllur

“Nuk varet nga unë nëse merkato është e mbyllur. Nuk ka trajner që është i kënaqur me skuadrën që ka”.

Për qetësinë që ka para një situate të tillë

“Kam kohë që marr pjesë në Kupat e Europës si lojtar e trajner dhe kjo ndoshta më jep qetësi. Kjo është 50% e parë e lojës, të shohim 50% e dytë, të shohim çfarë marrim. Ndaj ndoshta rezultati i sotshëm mund të ketë sjellë pak zhgënjim, por e thashë se me eksperiencën që kam na pret ndeshja e dytë në Maltë. Ndoshta edhe maltezët kanë pakënaqësi për rezultatin, por ta shohim në ndeshjen e kthimit”.

Nëse e mendon eliminimin

“Po flasim për gjëra që nuk kanë ndodhur. Nëse do të isha negativ, nuk do të isha këtu. Para se të mendoj për ndeshjen e kthimit ju them të jeni pozitiv në jetë. Pas shiut vjen dielli por ndërmjet këtij procesi ka kohë të keqe”.

Për vështirësitë në organizimin e lojës mes reparteve

“Nuk besoj, nuk e shoh si ju. Unë pashë që patën të tre repartet pozicionim, luajmë me katër mbrojtës, sot nuk është e lehtë të gjesh një sulmues të mirë dhe po punojmë me skuadrën”.

Për bindjen që ka se mund të kualifikohen

“Jam i qetë për faktin se e kam vlerësuar shumë skuadrën e Valletës. Nga eksperienca e fundit në kampionat, e di si po punojmë, do kohën e vet. Lojtarët e parë që janë afruar kanë ardhur një javë pasi kishim filluar fazën përgatitore ndaj do kohë. Edhe për lojtarët nuk ishte e lehtë të vlerësonim kundërshtarin, kemi parë video, kemi analizuar atë me aq material që kemi pasur”.