Ish-trajneri i moshave të Basel dhe analisti Arjan Peço ka folur në Procesi Sportiv për ndeshjen e Kombëtares me Anglinë. Kolonjari që ka mbajtur veshur fanellën kuqezi për 13 ndeshje është shprehur se kemi luajtur me 10 lojtarë në fushë, nisur kjo nga vendosja e Cikalleshit në krah, me kavajasin që ka humbur funksionin. Një tjetër e metë e cekur nga Peço është edhe loja me topa të gjatë, duke u kthyer 40 vite pas në futboll.

“Nëse në fillim e stabilizoi ekipin, ai ka luajtur gjithmonë me 5-3-2 që është shumë, shumë rreshtim mbrojtës. Me Anglinë u pa e njëjta gjë, u mendua me tre sulmues, por ishte një 5-4-1. Çikalleshi luajti mesfushor i djathtë dhe jo për faj të tij, por të vendosjes e sistemit. Nuk u pa fare në fushë, por atë rol mund ta bënte më mirë Broja. Ne thuajse luajtëm me një lojtar më pak gjithë lojën për shkak të tij.

Mbrojtja është OK, reparti më i konsoliduar. Ishte OK por në momentin që merrnin topin, nuk kishin asnjë lloj pikë referimi dhe ose e humbnim shpejt ose luanim top të gjatë. Edhe kur e merrnin mesfushorët topin e kthenin topin 40 metra te Berisha mbrapa, e vetmja strategji ofensive ishte thjesht kundërsulmi.

Ai i Uzunit ishte rast, por përsëri është shumë pak, ne nuk bëjmë dot 3-4 pasa dhe është fakt. Jemi kthyer 40 vite mbrapa, me gjithë respektin për ata lojatarë të atyre viteve, që kishim detyrë vetëm të prishnim lojë e mos mendonim për anën ofensive fare”, tha Peço./newsport/