Bylis do jetë vizitor ditën e nesërme në Shkodër përballë Vllaznisë. Ballshiotët do ndeshen me shkodranët pas humbjes me Tiranën në javën e 7-të në shifrat 0-1. E për këtë arsye ata do kërkojnë të kthehen tek rezultatet pozitive në “Loro Boriçi.” Me atë çfarë kanë treguar mallakastriotët deri më tani, ata mbesin një kundërshtar që duhet respektuar.

Me lojtarë të rinj në moshë, por me kualitet dhe dëshirë për të luajtur, ekipi i drejtuar nga Bellai ka bërë mirë në kampionat. E emra si: Janku, Teqja, Lorran apo Beji kanë spikatur në këto javë të para. Por gjithashtu në Ballsh luajnë edhe dy futbollistë shkodranë. Fjala është për Eridon Qardakun dhe Aleksandër Trumçin.

Nëse sulmuesi ka luajtur pak këtë edicion, kjo edhe për shkak të problemeve fizike, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Trumçin. Në krahun e djathtë të mbrojtjes ai ka qenë një ndër më të dalluarit këtë kampionat. Madje duke shënuar edhe në një fitore kundër Laçit në shifrat 0-1.

21-vjeçari mban edhe shiritin e kapitenit tek Bylis, duke qenë kështu më i riu në Superiore me fashën në krah. E me patjetër ai do jetë një futbollist për tu patur nën kujdes ditën e nesërme. Me sfidën mes Vllaznisë dhe Bylis që do luhet në orën 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.
Endri ÇINARI