Gjashtë klube shqiptare kanë për fituar prej shitjes së Sindrit Gurit nga Kukësi tek Ostende në maj të vitit 2018.

“Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht një vendim të Komitetit të Statusit të Lojtarëve në FIFA, aty ku belgët kishin paditur Kukësin në vitin 2021 për mosrespektim të marrëveshjes për Gurin, teksa në fund ka fituar pretendimi i Ostendes.

Por si është historia? Kukësi kishte rënë dakord me klubin belg për shitjen e sulmuesit për një shumë prej 710 mijë eurosh neto, nga ku 500 mijë euro do të derdheshin jo më vonë se 25 qershori 2018 dhe 210 mijë euro të tjera deri më 15 shkurt 2019.

Mirëpo, pagesa e kontributit të solidaritetit për klubet që kanë trajnuar lojtarin para aktivizimit me Kukësin, përfshihej te tarifa e transferimit (5% e shumës).

Në këto kushte, klubi verilindor ishte përgjegjës për shpërndarjen e shumave që u takonin ekipeve ku Guri kishte luajtur përpara se të vinte te Kukësi.

Në vendimin e zbardhur nga FIFA, citohet ndër të tjera se në janar 2019, u ankuan tek Ostende për mosmarrjen e tarifës së kompensimit avokatë të klubeve Besa dhe Korabi.

Për këtë belgët njoftuan Kukësin se ishte përgjegjës për shpërndarjen e kontributit të solidaritetit për ekipet ku ka qenë Guri, pikërisht KF Shkodra, Vllaznia, Besa, Kastrioti dhe Korabi. Përgjigjja nga verilindorët ishte epike:

“Fakti që ne jemi përgjegjës për shpërndarjen e shumës, nuk do të thotë se do të paguajmë atë. Ne ramë dakord të bëjmë shpërndarjen, për ta bërë më të lehtë për ju, pasi ish-klubet janë në Shqipëri”.

Duke parë këtë situatë, Ostende menjëherë shpërndau 10.390 euro për KF Shkodrën, 7.691 euro për Vllazninë, 3.550 euro për Besën, 2.662 euro për Korabin dhe 1.183 për Kastriotin, edhe pse klubi krutan nuk kishte shfaqur pretendime.

Më pas belgët paditën Kukësin në FIFA dhe, si përfundim, gjyqtari i Komitetit të Statusit të Lojtarëve rrëzoi pretendimet e verilindorëve dhe vendosi që Kukësi të rimbursojë shumën prej 25.450 për Ostenden.