Partizani-Vllaznia është sfida që do luhet sot në orën 16:45 në kuadër të javës së 21-të të Superligës. Një duel që përveç objektivave të kampionatit të këtij sezoni, mbart edhe historinë dhe lavdinë e së shkuarës. Një duel që në vite ka prodhuar ndeshje të paharrueshme dhe futbollistë legjendarë. Edhe sot pritet një tjetër duel për të mos u humbur.

Statistikat historike flasin në favor të Partizanit, por shifrat janë të gjitha në favor të Vllaznisë në dy sezonet e fundit. Këtë edicion Vllaznia dhe Partizani kanë ndarë një barazim 1-1 mes tyre në fazën e parë e po ashtu një fitore 1-0 në favor të Vllaznisë në fazën e dytë. Në sezonin 2020-21, Vllaznia do ishte sërish dominuese në shifra kundrejt të kuqve.

Dy barazime 0-0 dhe dy fitore në shifrat 1-0 që folën në llogari të kuqebluve ishin në edicionin e shkuar. Për të kujtuar një fitore të Partizanit kundër shkodranëve duhet të shkojmë në sezonin 2019-20, ku kryeqytetasit fitonin në shifrar 3-0 përballë kuqebluve në javën e 35-të të atij edicioni.

Pra Vllaznia nuk humbet prej 6 ndeshjesh rradhazi në kampionat ndaj “demave”. Duke llogaritur këtu 3 fitore dhe 3 barazime. Tek kuqeblutë patjetër që duan ta ruajnë këtë traditë pozitive, kjo edhe për të krijuar një vazhdimësi në kampionat.
Endri ÇINARI