Sot mund të ishte dita e fundit e Zhoze Murinjos si trajner i Mançester Junajtid dhe dukej si e tillë pas 45 minutave të parë të ndeshjes kundër Njukasëll, kur ekipi shkoi në dhomat e zhveshjes të “Old Traford” me disavantazhin 0-2.

Por “Djajtë e kuq” përmbysën rezultatin me 20 minuta të pabesueshëm në fundin e ndeshjes, duke marrë një sukses të rëndësishëm e duke evituar shkarkimin r Murinjos.

Kenedi dhe Muto shënuan për ekipin e drejtuar nga Benitez në pjesën e parë të takimit ndërsa Mançester Junajtid nuk po i përgjigjej kërkesave të portugezit.

Ky i fundit bëri ndryshime të shpejta duke hedhur në fushë Mata, e pastaj edhe Fellaini e Sançez, për të kthyer Pogba thuajse në qendërmbrojtës në rreshtimin e ri.

Që nga minuta e 60 filloi një ndeshje tjetër futbolli pa skema taktike, ku skuadra e Murinjos çuditërisht arriti të gjente ritmin e saj. Mata shkurtoi diferencën me një goditje dënimi në minutën e 70 e më pas Marsial barazoi shifrat.

Gjithçka ishte e hapur deri në fund, kur në minutën e 90 ishte Aleksis Sançez ai që gjeti devijimin e duhur për t’i dhënë suksesin 3-2 Mançester Junajtid e praktikisht për të konfirmuar Murinjon në stolin e skuadrës. /vipsport/