Rudi Vata është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe atij shkodran ndër vite. Tashmë, në moshën 53-vjeçare, ai është një njohës i shkëlqyer i futbollit shqiptar, teksa më parë është shpallur kampion me Dinamon dhe ka qenë futbollist i Vllaznisë dhe i Tiranës.

Vata ka luajtur edhe 59 ndeshje me Kombëtaren, teksa karriera e tij si futbollist fillon nga viti 1988 dhe që përfundon me varjen e “këpucëve në gozhdë” pas 17 vitesh të futbollit të luajtur, në vitin 2005, kur ai ishte 35-vjeç.

Rudi Vata ka lindur në Shkodër më 13 shkurt 1969 dhe zgjedh të merret me sport në rininë e tij. Ai ka luajtur si mbrojtës dhe e nisi me futbollin që në moshë të vogël dhe debuton me ekipin e parë të Vllaznisë, ende pa mbushur 18-vjeç, në një moshë tepër të re në vitin 1988. Më pas, kaloi tek Dinamo, me të cilën do të luante deri në fillimin e viteve 1990, sepse më pas do të merrte rrugët e Europës.

Kur udhëtonte me Kombëtaren e Shqipërisë në Francë, ai kërkoi azil politik në 1991. Karriera e Vatës në futbollin perëndimor filloi në Francë në vitin 1991, kur futbollisti i Dinamos kërkoi azil politik pas një ndeshjeje ndërkombëtare. Ai luajti për Le Mans dhe Tours, përpara se të luante për Celtic, midis janarit 1993 dhe 1995-1996.

Jashtë Shqipërisë, Vata kishte një karrierë të suksesshme, ku spikat mbi të gjitha aktivizimi me ekipin skocez të Celtic. Ai u bë shqiptari i parë, që fitoi një kupë në një vend të madh europian, kur fitoi Kupën e Skocisë në 1995 me Celtic.

Vata vazhdoi të luajë për Apollon Limassol në vitet 1996-1998, me Energie Cottbus në vitet 1998-2001, me Rot-Weib Ahlen në janar-qershor të 2002 dhe Tiranën në 2002-2003. Kjo u pasua me një firmë në Japoni me Yokohama, pas së cilës ai nënshkroi për St. Johnstone në 2004.

Ndërkohë, gjatë periudhës së viteve 1990-2001, Vata shndërrohet në një lider edhe tek Kombëtarja e Shqipërisë, ku i besohet edhe shiriti i kapitenit. Ai bëri debutimin e tij për Shqipërinë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Europian të majit 1990 kundër Islandës dhe realizoi gjithsej 59 paraqitje, duke shënuar 5-gola. Ndeshja ndërkombëtare e tij e fundit me Kombëtaren e Shqipërisë ishte një ndeshje kualifikuese e Kupës së Botës në shtator 2001 kundër Finlandës. Padyshim që, për aq kohë sa luajti me Shqipërinë, Vata është ndër simbolet e kësaj Kombëtareje.

Pas lënies së sportit, për pak kohë, në një periudhë të shkurtër, ai ka bërë detyrën e trajnerit, pikërisht tek ekipi i Vllaznisë në fillimin e vitit 2012. Ndërkohë, që kur u tërhoq nga loja e futbollit, Vata ka punuar më së shumti si agjent sportiv, i specializuar në futbollin e Europës Lindore, teksa ka mundësuar edhe transferimin e futbollistëve në disa klube të ndryshme, si Garry O’Connor dhe Aiden Mc’Geady.

Ndërkohë në jetën personale, Vata është i martuar me një grua nga Skocia, të cilën e takoi gjatë kohës që luante te Celtic. Ata kanë dy djem së bashku, Ruan dhe Rocco, të cilët të dy kanë lindur në Skoci. Ata jetojnë në Hamilton të Skocisë.

Në nëntor të 2019, djali i tij Rocco kishte vendosur të bënte debutimin e tij me Republikën e Irlandës U-15 kundër Polonisë. Rocco më pas, u bashkua dhe avancoi përmes sektorit të të rinjve të Celtic, një nga ish-klubet e babait të tij, duke nënshkruar një kontratë profesioniste me ekipin skocez në korrik të 2021.

Rocco ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Celtic, aty ku babai i tij Rudi Vata, jo shumë larg në vite bëri histori. Rasti në fjalë pat marrë vëmendjen e mediave të huaja dhe sidomos atyre skoceze duke e konsideruar Rocco Vatën, si një yll i ri që po shndrit në futbollin skocez tek Celtic, klubi i themeluar 133 vjet më parë, në vitin 1888 dhe që është një nga pesë skuadrat e vetme në botë që ka fituar mbi 100 trofe.

Nga sa shprehen edhe vetë specialistët dhe drejtuesit e klubit skocez, ndër to edhe drejtori i Akademisë së Celtic, Roccon e cilësojnë si një futbollist tepër të talentuar, i cili duke luajtur në të njëjtin pozicion si Cristiano Ronaldo, besojnë shumë se do të ecë në gjurmët e karrierës së tij sportive.

E veçanta e kontratës tre-vjeçare firmosur aktualisht nga Rocco Vata për llogari të klubit skocez Celtic është se, gjithçka u zyrtarizua nën përkujdesjen profesionale të vëllait të tij më të madh, djalit tjetër të Rudi Vatës, Ruanit. Për ato që nuk e dijnë, edhe Ruani ka patur pasion futbollin, duke u aktivizuar me ekipet e Celtic, teksa më pas preferoi të kalonte në sportin e boksit, madje një sfidues i flaktë dhe i suksesshëm në ring. Megjithatë tashmë, Ruan Vata është pozicionuar në një detyrë jo pak të rëndësishme, duke marrë përsipër të drejtojë kompaninë “Vata Vision Football Management” të themeluar vite më parë nga babai i tij, Rudi. Një kompani, e cila është shumë e njohur në menaxhimin e shumë futbollistëve, shqiptarë dhe jo vetëm në klubet europiane dhe më gjërë në kontinentet e tjera.

Megjithatë, themeluesi i kësaj kompanie, Rudi Vata është një nga emrat e mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar dhe meriton një rrespekt të veçantë për gjithë atë çfarë ka dhënë për të. Jetë të gjatë profesor Rudi Vata! Sa më shumë suksese në karrierën tënde dhe të Ruanit e Roccos…
Maringlen ZHIVANI