Nga Endri ÇINARI
Vllaznia luajti sot ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2024. Shkodranët pritën në “Loro Boriçi”, ekipin e Kukësit. Duel i vlefshëm për javën e 19-të të Superiores dhe që përfundoi në shifrat 1-0. “Shkodra Sport” përveç raportimit minutë pas minute të ndeshjes, sjell edhe disa “pikante” të derbit verior.
-Moti me shi dhe i ftohtë ndikon tek tifozeria shkodrane në stadium. Që nuk është e shumtë në shkallët e “Loro Boriçit”.
-Habi bën fakti se Vllaznia pavarësisht se vendase luan me fanellën e bardhë dhe jo atë kuqeblu. Kukësi nga ana tjetër është i veshuri i gjithi me zi. Arsyeja është e thjeshtë: Miqtë kishin ardhur në Shkodër me vetëm një fanellë dhe sipas rregullores, delegati i FSHF-së u ka kushtëzuar kuqebluve veshjen e fanellës së tyre të dytë.
-Vetëm 50 sekonda mjaftojnë që Vllaznia të gjejë golin e parë për vitin 2024. Është Gruda që e nis vitin aty ku e la dhe fundin e viti të shkuar, tek golat.
-Nuk mungon tifo-grupi i ultrasve shkodranë “Vllaznit”, që nuk ndalojnë duke mbështetur skuadrën. E po ashtu ka edhe disa tifozë kuksianë në tribunën qëndrore.
-Ideal Lekiqi, trajneri i portierëve të Vllaznisë e ndjek ndeshjen nga tribuna e gazetarëve. Kjo për shkak të dënimit nga disiplina.
-Tefik Osmani kapet me mbrojtjen, ku në një moment prapavija shkodrane nuk është e vendosur si duhet. Fakt që nervozon drejtorin teknik të kuqebluve.
-I gjithë stoli kuqeblu në këmbë, kjo pasi Vllaznia rrezikon të pësojë gol në 2-3 raste rradhazi. Kërkohet më shumë përqendrim në rradhët e shkodranëve.
-Penallti për Kukësin e akorduar nga Alla pas ndihmës së VAR. Rashiti provon një “panenka” përballë Qarrit. Gjuajtja e sulmuesit kuksian është totalisht e gabuar dhe përfundon sipër traversës.
-Të qetë dy trajnerët Qatip Osmani dhe Stavri Nica. Të cilët asnjë herë nuk dalin nga karakteri i tyre.
-Në një moment portieri Qarri bën nxehmjen në vend. Kjo pasi temperaturat e ulëta ndikojnë tek portieri.
-Klevis Hilaj merr duartrokitjet e publikut shkodran. Kjo pasi lojtari i hedhur në fushë në fillimin e pjesës së dytë zëvendësohet në minutën e 61-të. Kjo pas performancës jo bindëse dhe publiku shkodran mundohet të inkurarojë 19-vjeçarin.
-Ndërpritet takimi sepse një nga gjyqtarët anësorë goditet nga një flakadanë. Duhet ndihma e stafit mjekësor për gjyqtarin anësorë Spahiu.
-Kërkojnë penallti tek Vllaznia në minutën e 79-të. Çoba pengohet në zonë, por nuk mendon kështu Alla. Dhe kjo sjell protesta në stadium nga të gjithë.
-Duartrokitje të shumta për Gruden në momentin kur ky i fundit lë fushën për Delajn.
-Në fund mbyllet 1-0 për Vllazninë që gëzon fitoren e parë për vitin 2024 dhe nuk i ndahet katërshes së parë. E ndërsa Kukësi tregon edhe njëherë se do jetë në luftë për mbijetesën.