Ndryshimet e menduara në formacion nga stafi i Vllaznisë për ndeshjen me Teutën, duket se nuk do të marrin rrugë.

Kjo ngaqë, njëri prej futbollistëve që mendohej të ishte titullar në këtë sfidë, pikërisht Denis Pjeshka, në stërvitjen e djeshme ka ndjerë sërish shqetësime në vendin ku ka patur probleme edhe më parë.

Sipas trajnerit Gjoka, ky lojtar ishte programuar mbase të luante në rolin e mbrojtësit të majtë por tashmë pritet të shohim se kush do luajë aty.

Numri 1 i pankinës kuqeblu është shprehur: “Nuk mendoj që do të kemi ndonjë gjë ndryshe.

Sa i takon kontigjentit të lojtarëve për këtë ndeshje, nuk do të kemi të gatshëm Bardullën që është dëmtuar gjatë javës ndërkohë që edhe Pjeshka në stërvitjen e djeshme ka ndjerë sërish shqetësimin e vjetër që ka patur.

Stafi po përpiqet ta rikuperojë sepse kishim menduar ndoshta të bënim edhe një rrokadë në krahun e majtë të mbrojtjes me këtë futbollist por gjithsesi ne kemi të gatshëm Mersinin, Ruqin dhe Markun për këtë pozicion.

E rëndësishme është të ndryshojmë mentalitetin, të jemi agresivë, e rëndësishme është që kundërshtari të vuajë në këtë ndeshje dhe ne të dimë të sillemi si profesionistë dhe ta marrim ndeshjen”.
© shkodrasport.com