Bajerni i Mynihut nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Herta Berlin në “Allianz Arena” të premten në mbrëmje. Ky barazim duket se nuk ka kaluar pa pasoja te skuadra bavareze. Sipas të përditshmes gjermane “Bild sport”, menjëherë sapo ka përfunduar takimi, në dhomat e zhveshjes së skuadrës kampione të Gjermanisë ka pasur polemika dhe debate me tone të ashpra mes lojtarëve.

Debati më i madh ka qenë ai mes trajnerit Niko Kovaç dhe mbrojtësit Xhoshua Kimish. Ky i fundit ka kritikuar trajnerin kroat, duke i kërkuar llogari për zëvendësimet e kryera me shumë vonesë. Kujtojmë se Kovaç përdori vetëm dy zëvendësime në minutat 85 dhe 87 të ndeshjes.

Trajneri ka replikuar ashpër me lojtarin, duke bërë që tensioni të jetë i lartë. Tekniku mësohet t’i jetë drejtuar lojtarit me fjalët: “Këtu vendos unë, nëse dikush ka ndonjë problem me këtë gjë, bën mirë të shkojë diku tjetër”. Fjalë këto që kanë ngjallur shumë pakënaqësi.

Ndërkohë, polemikat kanë vijuar edhe një ditë pas ndeshjes, me portugezin Renato Sançez që ka ngritur zërin në media, duke kërkuar më shumë hapësira dhe se ndihet i trishtuar në Mynih. I pyetur nëse dëshironte të largohej nga skuadra, Sançez është përgjigjur:

“Po, menjëherë. Më është premtuar shumë gjatë verës, por ashtu si dhe në sezonin e kaluar, minutat që kam në dispozicion janë ato në fundin e ndeshjes”, është shprehur portugezi për “ZDF”. Një start jo i mirë ky për skuadrën kampione, e cila jo vetëm që la dy pikë në ndeshjen e parë, por tani duhet të mendojë se si të menaxhojë pakënaqësitë e lojtarëve të revoltuar me trajnerin Niko Kovaç.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh te Bajerni. Kujtojmë se në sezonin e kaluar, Arjen Roben dhe Frank Riberi kanë qenë disa herë protagonistë me sjelljet e tyre ndaj kroatit që për hir të së vërtetës, arriti t’i menaxhonte mirë ata.