I keni parasysh polemikat e shumta në të cilat është përfshirë Zherard Pike në vitet e fundit, apo edhe përplasjet me kundërshtarët? Me sa duket një pjesë e tyre është e paramenduar nga futbollisti, pasi ai e bën këtë për shfaqje.

Ky është rrëfimi i sinqertë i vetë mbrojtësit të Barcelonës, i cili në një emision televiziv ka treguar se si është e vërteta shpeshherë, ndryshe nga ajo që mund të imagjinojnë tifozët.

“Normalisht është diçka e paramenduar. Unë e bëj që t’ia kaloj sa më mirë. Bëj si i tërbuar dhe pastaj ia kaloj mirë pasi bota e futbollit është një spektakël. Më pas qeshim në dhomat e zhveshjeve, gjithçka është një farë dhe një gënjeshtër.

Gjithçka është shumë më e lehtë. Ne futbollistët shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Ambienti është fantastik. Kur zihemi, ndodh sepse duam pak më shumë entuziazëm”, tha ai.

Me sa duket, futbollistin nuk e shqetëson as fakti se shpesh luan në stadiume ku ndaj tij ka urrejtje. “Të kem njerëzit kundër të motivon më shumë, pasi aq më mirë luan, aq më shumë u djeg atyre. Vitet në të cilat më vërshëllenin në ekipin kombëtar ishin më të mirat, pasi më motivonin më shumë”, tha Pike. /vipsport/