Mirsad Jonuz mori rrugën për në Maqe doninë e Veriut që të mërkurën në mbrëmje. Me të fituar ndeshjen me Flamurtarin, njoftoi stafin dhe lojtarët se duhet të shkonte për të zgjidhur disa punë private.

Për rrjedhojë të enjten stërvitja u krye nga pjesa tjetër e stafit teknik, e megjithatë dje të gjithë prisnin që ai të rikthehej në fushë. Por kjo nuk ndodhi.

Prapaskenat

Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar prapaskenat e asaj që ngjau ditën e djeshme, duke e futur edhe më shumë në kolaps Vllazninë. Një nga ndihmëtrajnerët kishte biseduar gjatë të premtes me 58- vjeçarin dhe ai i kishte dhënë porosi: “Jam në shtëpi, vazhdoni me programin”.

Një SMS e cila është kuptuar ndryshe. Duke qenë se orari i stërvitjes po afronte dhe Jonuz nuk po dukej në fushë për të kryer përgatitjet e para, dyshja Osja-Lekiqi janë shqetësuar. Ata duke menduar që ishte në Shkodër, kanë telefonuar Suad Licin.

Ky i fundit nuk kishte pak minuta që ishte informuar për vendimin e largimit të trajnerit (rreth orës 16:30) dhe për rrjedhojë administratori është detyruar që të shkojë të takojë ndihmëstrajnerët për të sqaruar situatën.

Aty për aty i ka informuar se maqedonasi nuk do të paraqitej, pasi nuk kishte shumë minuta që i kishte dorëzuar zyrtarisht një shkresë për të mbyllur këtu bashkëpunimin.

Pasuesit

Administratori është gjendur i papërgatitur nga kjo situatë. E megjithatë, i është dashur të gjejë një zgjidhje emergjente. Në kësi kushtet ka njoftuar se do të jetë Safet Osja ai që do të drejtojë ekipin, të paktën për ndeshjen e nesërme në Laç, ndërsa në krah të tij do të jetë sigurisht përgatitësi i portierëve, Ideal Lekiqi.

Por edhe vetë Suad Lici do të japë një dorë. Ai ka menduar që të qëndrojë pranë skuadrës gjatë kësaj periudhe, ndoshta derisa të ndajnë mendjen nëse do të afrojnë apo jo një trajner të ri për pjesën e mbetur të këtij edicioni.

Që të dalë në një konkluzion të tillë, fillimisht duhet të ulet me kryebashkiaken Voltana Ademi. Takim që ndoshta mund të zhvillohet që sot, për të vendosur pikat mbi “i” për 1001 problemet që Vllaznia ka pasur gjatë kësaj periudhe.