Vllaznia-Flamurtari është ndeshja e rradhës e kuqebluve. Takim që është i vlefshëm për kupën e Shqipërisë, për kalimin në gjysmëfinale. Përballja e parë çerekfinale mes dy ekipeve është mbyllur me shifrat 1-2 për Vllazninë dhe kualifikimi duket shumë pranë.

Për “Shkodra Sport” në një prononcim ekskluziv është shprehur Ditmar Bicaj. Një prej futbollistëve më të rëndësishëm të vlonjatëve dhe një ish i Vllaznisë shprehet për këtë ndeshje dhe për atmosferën tek Flamurtari.

Bicaj u shpreh: “Është kënaqësi të luash gjithmonë në Shkodër dhe kundër Vllaznisë. Do jetë një ndeshje që ne do vijmë me entuziasëm për ta luajtur. Patjetër Vllaznia është favorite për kalimin, kjo edhe pas fitores aë mori në Vlorë. Por në futboll kurrë nuk i dihet dhe ne do japim më të mirën për të treguar vlerat tona.

Atmosfera tek Flamurtari ? Po gëzojmë një moment të mirë. Patjetër objektivi primar është ngjitja sa më shpejt atje ku i takon emrit të Flamurtarit. Ne po gëzojmë një humor të mirë dhe me këtë nisemi edhe në takimin e rradhës. Këtu ka disa futbollistë si unë, Ribaj apo edhe shkodranët Pjeshka, Ramadani dhe Gocaj që kundër Vllaznisë gjithmonë luajnë një ndeshje të veçantë.

Parashikim për nesër ? Nuk di ta them me saktësi se si do përfundojë ndeshja. Di vetëm të them se do jetë një takim i bukur për tu parë, njësoj si ai i pari ku pati luftë sportive. Shpresoj të bëhet një ndeshje që të kënaqë tifozët dhe patjetër që Vllaznisë i uroj gjithmonë suksese sepse është një klub i veçantë për mua”.
Endri ÇINARI