Tek Vllaznia U17 një nga futbollistët që po spikat është edhe sulmuesi Kevin Dodaj. 16-vjeçari nga ndeshja në ndeshje po bind me paraqitjet e tij dhe padyshim që ka shumë për të bërë edhe në të ardhmen.

Edhe në ndeshjen e sotme ndaj Apolonisë, ai ka shënuar golin e parë të takimit dhe me siguri edhe në ndeshjen e ardhshme, në finale ndaj Durrësit, ai do të japë më të mirën e tij për ekipin e Vllaznia U17, pjesë e të cilit është.

Dodaj, në një prononcim për “Shkodra Sport”, flet për kualifikimin për në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa shprehet i lumtur që shënoi në një ndeshje kaq të rëndësishme për skuadrën e tij.

“Ishte një kënaqësi shumë e madhe të kualifikohemi në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe jam shumë i lumtur që shënova në këtë ndeshje deçizive, Normal si çdo finale tjetër ka rëndësinë e vet edhe ndeshja ndaj Durrësit. Ne duhet të përqëndrohemi maksimalisht dhe pse jo të dalim me rezultat pozitiv. Momentalisht e shikoj të ardhmen me Vllazninë dhe do të punoj që të arrij ekipin e parë”,-thekson ai.

Dodaj flet edhe për marrëdhënien me trajnerin Edmond Doçi, teksa shprehet se tekniku i ka dhënë një harmoni gjithë skuadrës në përgjithësi.

“Me profesor Doçin i kemi marrëdhëniet shumë të mira, profesor Doçi na ka dhënë një harmoni shumë të mirë në grup dhe për këtë, kemi arritur këtu ku jemi”,-thotë 16-vjeçari.

Në mbyllje, Dodaj ka edhe një dedikim për golin e shënuar sot ndaj Apolonisë, teksa nuk ngurron të thotë edhe se kupa do të vijë në Shkodër.

“Këtë gol ia dedikoj ekipit, sepse falë atyre arrita që të shënoja, ndërsa sa për kupën ajo as që diskutohet që do të vijë në Shkodër”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U17, Kevin Dodaj.
Maringlen Zhivani