Pas pak orësh në fushën e “Reshit Rusit” do të zbresin për të luajtur ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë Vllaznia dhe Kamza.

Trajneri i ekipit shkodran Hasan Lika e ka të qartë mënyrën si do ta vendosë skuadrënë në fushën e lojës dhe po ashtu duket se ka përcaktuar edhe formacionin me të cilin do të luajë në këtë takim.

Kështu, në portë do të jetë sërish Alen Sherri. Në mbrojtje ndërkohë këtë herë do të luhet me katër lojtarë teksa Gurishta do të jetë nga e djathta, Gocaj nga e majta dhe në qendër dyshja Zeqaj- Malota.

Në mesfushë do të luajnë në qendër Krymi e Tafili ndërsa në krahë Lika e Hajdari. Sakaq, Zogaj do të ketë detyrën të mbështesë në vijën e parë të sulmit brazilianin Junior.

Me këtë 11-she, Vllaznia do të tentojë të shënojë gol në portën e Kamzës, por njëkohësisht do të luajë me kujdes në prapavijë për të mos pësuar sepse siç dihet, kupa ka specifikën e vet dhe një gol i pësuar në fushën tëndë, prish shumë punë.

Objektivi i Vllaznisë është kualifikimi për në turin tjetër. Duket disi e vështirë sepse Kamza është një ekip Superlige, por trajneri Lika e tha edhe dje: Ne jemi Vllaznia!