Rejan Alivoda është zbulimi i sezonit te Vllaznia. Mesfushori i talentuar shkodran është kthyer në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të kuqebluve dhe trajneri Mirel Josa nuk e ka lëvizur asnjëherë nga formacioni.
Edhe ndaj Tiranës ai tregoi një formë të mirë, duke ndihmuar skuadrën drejt një prej fitoreve më të rëndësishme të këtij sezoni.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 19-vjeçari shkodran ka komentuar ndeshjen e fundit me bardheblutë, ndërsa ka folur edhe për sfidën ndaj Egnatias, që do të luhet të dielën në Rrogozhinë. Alivoda është i bindur se Vllaznia do të jetë deri në fund në luftë për titullin, duke kthyer në Shkodër trofeun pas 22 vitesh.
Një trepikësh me shumë vlerë ndaj Tiranës. Mendoni se tani jeni në rrugën e duhur?
Këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë tonë. Mendoj se bëmë më të mirën, por tani duhet të vazhdojmë në rrugën e duhur.
Kjo fitore rihapi kampionatin apo është shpejt për të folur?
Po kampionati është i hapur, sepse ka dhe shumë ndeshje dhe shpresojmë që të japim më të mirën.
I keni marrë 7 pikë në tri ndeshje Tiranës, por keni lënë ndaj skuadrave të tjera në dukje të vogla, ka ardhur koha tani për ndryshim?
Ne në çdo ndeshje mundohemi të japim më të mirën dhe të arrijmë objektivin, por ndonjëherë na ka munguar edhe fati. Shpresojmë që kësaj here të jetë edhe fati në anën tonë.
Kë shikoni si rival më të fortë tuajin për titull, Tiranën apo Partizanin?
Të dy ekipet janë rivalë të fortë, por ka dhe ekipe tjera që ne duhet të japim më të mirën me ta për rrugën drejt titullit.
Këtë javë përballë keni Egnatian, ku ndaj saj në dy takime kemi marrë vetëm një pikë, si e shikoni këtë përballje?
Është një përballje e fortë dhe do të mundohemi të marrim 3 pikë që janë shumë të rëndësishme për ne.
Fitorja objektivi i vetëm në këtë përballje?
Po, objektivi i vetëm në këtë ndeshje janë tri pikët, pasi i kemi mundësitë që ta fitojmë këtë ndeshje.
Viti i parë te Vllaznia, por menjëherë titullar. E prisnit një gjë të tillë?
Nuk e prisja, por tani që jam duke luajtur do të mundohem të bëj më të mirën në çdo ndeshje dhe shpresoj që t’ia shpërblej besimin stafit të ekipit dhe teknikut Josa. Është kjo Vllazni për titull? Po, ky është objektivi ynë dhe shpresoj t’ia arrijmë.