Partizani ka arritur të marrë fitoren e parë për vitin 2019, duke mundur Kastriotin me rezultatin 4-2. Në këtë mënyrë, të besuarit e Gegës kanë provuar për herë të parë shijen e fitores për këtë vit, duke qenë se miqësoret në Antalia i mbyllën me 2 barazime dhe një humbje.

Rubin Hebaj që e nisi takimin si titullar, nuk ka zhgënjyer duke arritur të shënojë një dy golash. Në minutën e 30, ai arriti të barazonte rezultatin, duke qenë se Vatnikaj kishte kaluar vendasit në avantazh në minutën e 13 të takimit. Ka qenë Mensah, ai i cili ka shënuar golin e avantazhit për Partizanin në minutën e 42 të takimit.

Në pjesën e dytë, Trashi i sapofutur në lojë ka shënuar golin e tretë në minutën e 70, por i është përgjigjur vetëm 1 minutë më vonë Shehu duke ngushtuar diferencën në 2-3. Hebaj është dukur edhe njëherë tjetër duke vulosur fitoren e Partizanit me rezultatin 2-4. Ndeshja e kthimit, luhet në datën 6 shkurt në kryeqytet, ndërkohë që të premten, Partizani udhëton në transfertë ndaj Skënderbeut.

Kastrioti- Partizani 2-4
Shënues: 13’Vatnikaj, 71’Shehu/ 30′, 75’Hebaj, 42’Mensah, 70’Trashi

Nderkohe Skënderbeu ka arritur të marrë një fitore me rezultatin minimal 1-2 në transfertë ndaj Besëlidhjes. Ndeshja e parë zyrtare për këtë vit, është fituar nga ‘Ujqërit e Dëborës’ me jo pak vështirësi ndaj një kundërshtari të lehtë në letër. Në fillim, u duk se Skënderbeu do të ‘shfrynte’ ndaj Besëlidhjes, por në fakt, nuk ndodhi kështu.

Oto Xhon ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 10 të takimit, ndërkohë që Kamara ka befasuar korçarët duke barazuar në minutën e 26 të takimit. Pjesa e parë, është mbyllur në barazim me rezultatin 1-1.

Ndërkohë, në pjesën e dytë ka shënuar Nazmi Gripshi në minutën e 51, gol ky që i ka dhënë edhe fitore ‘Ujqërve të Dëborës’. Ndeshjet e kthimit, do të luhen në datën 6 shkurt. Skënderbeu zbret sërish në fushë të premten duke qenë se luan ndaj Partizanit për javën e parë të fazës së tretë.

U luajt:

Besëlidhja-Skënderbeu 1-2
Shënues: 26’Kamara/ 10′ Oto Xhon, 51’Gripshi