Rudi Vata është një nga lojtarët më të shquar të së shkuarës së kombëtares, por tashmë nuk gëzon një marrëdhënie korrekte me drejtuesit e futbollit në vendin tonë. Prej kohësh lëshon kritika drejt tyre dhe në një lidhje me Super Sport, ish-kapiteni i Shqipërisë tregon se kjo çështje mund të ndikojë edhe në praninë e djalit të tij në kombëtaren shqiptare.

SKOCIA- Jam shumë mirë këtu dhe nuk kam qenë më mirë se kaq. E rëndësishme është të jesh pozitiv në këto situata. Duhet të kesh besim te e mira.

BELGJIKA- Kampionati në Belgjikë është i mbyllur dhe mendoj se ka qenë vendimi i duhur. Javën e kaluar ka pasur disa takime për licensimet për sezonin tjetër. Klubi ku unë jam pjesë nuk ka marrë licensim dhe shpresoj që të gjenden fondet e mjaftueshëm për të vazhduar sezonin.

Deri tani situata është e pasigurt, por shpresoj t’ia dalim mbanë. Klub Bryzh ka bërë një kampionat të mirë me 15 pikë para dhe meriton të shpallet kampion.

E ARDHMJA- Unë i shikoj të gjitha opsionet e mundshme. Gjithçka do të varet nga bisedat që do të bëjmë me klubin.

LOJTARËT SHQIPTARË- Nuk kam piketuar, pasi janë shumë të shtrenjtë dhe nuk janë për klubin tonë pasi është klub i vogël.

DJALI DHE ÇËSHTJA E KOMBËTARES- Nuk e kuptoj si njerëzit flasin kështu. Djali im është vetëm 15 vjeç dhe nuk është bërë ende një lojtar profesionist edhe pse është shumë i talentuar. Kam dhënë shumë për ekipin kombëtar dhe pas gjithë këtyre arritjeve në Shqipëri nuk e shikoj veten shumë të dëshirueshëm.

Nuk e shikoj që Roko për momentin me ata, që drejtojnë futbollin e dëshirojnë figurën e Rudi Vatës. Unë e kam vendosur që të jap mendimin tim dhe kur të vijë momenti që Roko do të jetë në momentin për të vendosur, ne do të ulemi dhe do të flasim me njerëzit e duhur pasi kjo është një gjë e madhe. /vipsport/