Në Shkodër një nga problemet më të mëdha është padyshim mungesa e infrastrukturës sportive. Dhe jo vetëm për futbollin. Edhe sportet e tjera, basketbolli, volejbolli etj, stërvitjet e ekipeve të moshave i zhvillojnë në palestra shkollash, tërësisht jashtë kushteve normale të punës.

Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi duket se ka menduar presidenti i shoqatës së basketbollit Vllaznia, Alban Xhaferi. Ai ka menduar që të ndërtojë një qendër stërvitore me disa fusha dhe kjo pritet të realizohet në periferi të qytetit të Shkodrës.

Këtë e ka zbuluar për “Shkodra Sport” sekretari i kësaj shoqate Blendi Dibra i cili shprehet: “Puna ka nisur, ndonëse është në hapat e parë. Presidenti Xhaferi është në pritje të miratimit të projektit, është blerë toka që duhet për ndërtimin e kësaj qendre dhe ajo ndodhet afër kompleksit “Zmijani”, ku do bëhet edhe një bashkëpunim me disa partnerë të tjerë të zotit Xhaferi.

Do bëhen edhe disa fusha tenisi, do projektohen tre fusha basketbolli. Besoj se ky do ta kthejë projektin me serioz, më të përqendruar drejt moshave të reja. Por dinamika e ngjarjeve ka bërë që edhe fokusi të mos jetë shumë i madh tek ky projekt për momentin, megjithatë është në vëmendjen e presidentit Xhaferi.

Tifozët shkodranë kuptohen që duan trofetë, absolutisht, por trofetë duhen të transferohen drejt e në marketing, pra nëse marrim një trofe dhe nuk kemi regjistrime tek të rinjtë, ato nuk vlejnë. Por të rinjtë duan vend për t’u stërvitur dhe prandaj ndërtimi i këtij projekti do të përmirësojë shumë gjëra në këtë drejtim”.
© shkodrasport.com