Dopieta e sulmuesit Saliu Guindo në fitoren ndaj Vllaznisë ka ngrohur stafin e Laçit, pikërisht në momentin më kritik të sezonit, teksa golat e afrikanit duhen më shumë se kurrë. Pas një periudhe të gjatë me probleme, ku forma e tij linte për të dëshiruar dhe më pas erdhi edhe një dëmtim që e la jashtë fushave disa javë, në kampin kurbinas kishin humbur disi shpresat se Guindo do të merrte veten.

Mirëpo, “Këpuca e Artë” e Kategorisë Superiore në sezonin e kaluar u rikthye protagonist atëherë kur fitorja e Laçit duhej me çdo kusht dhe pikërisht në javën e 26-të ndaj Vllaznisë.

Kjo i dha mundësinë stafit teknik, me në krye trajnerin Gentjan Mezani, që të përgatiten të qetë në prag të takimit, të cilin do të luajnë të dielën në stadiumin e Kamzës kundër Kastriotit.

Duke qenë se kundërshtari mbyll tabelën e klasifikimit dhe për të mund të jetë një nga shanset e fundit për të shpresuar te mbijetesa, ky takim edhe bëhet më i vështirë për kurbinasit.

Megjithatë, skuadra e Mezanit gëzon një formë të mirë dhe pret që të marrë tri pikët e radhës në ndeshjen e së dielës. Në këtë takim Laçi nuk ka asnjë lojtar të pezulluar për kartonë apo të dëmtuar, prandaj dhe Mezani ka luksin e përzgjedhjes së formacionit.

Pas dështimit në Kupën e Shqipërisë, klubi bardhezi kërkon me çdo kusht të ngjitet në renditje, në mënyrë që të shpresojë te një vend që do ta çonte në Europë pas përfundimit të këtij sezoni.