Mesfushori shkodran Andreas Ndoj ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Siç kemi shkruar edhe më përpara për të, ai deri para dy muajsh ka qenë pjesë e ekipit U-15 të klubit të njohur grek Olimpiakos.

Me kalimin e kësaj ditëlindje, ai duhej të kalonte tek ekipi U-16 por drejtuesit e Akademisë e kanë dërguar atë në një grup me moshë më të madhe, pra U-17.

Kjo ka ardhur si vlerësim për paraqitjet shumë të mira që është duke bërë në çdo ndeshje me ekipin e tij. Ndoj prej një jave bashkë me ekipin aktual tashmë ka lënë Athinën dhe ndodhet në fazë përgatitore në një qytet tjetër.

Kalimi i tij në një grupmoshë më të madhe, padyshim që e ka entuziasmuar shumë futbollistin me origjinë nga Shkodra i cili normalisht që do të punojë fort për ta justifikuar këtë gjë.

Ndërkohë, Andrea pret edhe një ftesë nga kombëtarja U-17 e Shqipërisë për ndeshjet eliminatore që ajo do të zhvillojë gjatë muajit shtator. Ai ka qenë edhe më përpara pjesë e kësaj kombëtareje por në grumbullimet e fundit sikur “u harrua”.

E ndërsa stafi i ekipeve tona kombëtare “e harron”, drejtuesit e Akademisë së Olimpiakos e kanë në qendër të vëmendjes. Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një futbollist që luan në qendër të mesfushës dhe është 1.86 m i lartë.

Parametrat e tij fizikë janë shumë të mirë dhe për këtë arsye, konsiderohet element me shumë perspektivë.
© shkodrasport.com